Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka bërë një deklaratë me tone humoristike gjatë një bisede informale në kuadër të një samiti për paqen në Rripin e Gazës, duke komentuar vështirësinë e saj për të hequr dorë nga duhani.

Gjatë një shkëmbimi me presidentin turk Recep Tayyip Erdogan, i njohur për qëndrimet e tij të forta kundër duhanit, Meloni tha: “Nëse e lë duhanin, mund të vras dikë”, duke shkaktuar të qeshura mes të pranishmëve.

Erdogan, i cili shpesh është angazhuar personalisht në fushata kundër duhanit, i tha Melonit: “Dukesh shumë mirë. Por duhet të të bëj të lësh duhanin”. Në atë moment, presidenti francez Emmanuel Macron, që ndodhej pranë tyre, ndërhyri me një buzëqeshje: “Është e pamundur!”, duke theksuar se kjo nuk është një detyrë e lehtë.

Meloni, që më parë kishte rrëfyer në një libër me intervista se kishte lënë duhanin për 13 vjet para se të rifillonte, u përgjigj me të njëjtin ton ironik: “E di, e di… nuk dua të vras dikë”.

Biseda u zhvillua në një atmosferë miqësore, duke sjellë një moment të lehtësuar mes diskutimeve të rënda për paqen në Lindjen e Mesme.