Gjykatësi francez Nicolas Guillou përballet me vështirësi financiare pasi e gjeti veten në listën e sanksioneve të SHBA-së.

50-vjecari që kryesoi panelin e Gjykatës Ndërkombëtare Penale në lëshimin e urdhër-arrestit ndaj kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu në vitin 2024, tha për “France 24” se i janë bllokuar kartat e kreditit, nuk porosit e nuk rezervon dot më online.

Guillou, i cili ka qenë gjithashtu edhe ish anëtar i Gjykatës Speciale për Kosovën, e cilësoi këtë situatë një “kthim 30 vjet prapa në një botë dixhitale si kjo e sotmja”. Në Francë, të gjitha sistemet e pagesave kontrollohen nga amerikanët dhe Guillou eshte përjashtuar prej tyre. Shefi i Elizesë, Emmanuel Macron ka shkruar shtatë letra duke kërkuar heqjen e sanksioneve ndaj 50 vjecarit, por autoritetet amerikane ende nuk i kanë dhënë një përgjigje pozitive. Një burim në “Elysee” i tha “France 24” se Parisi zyrtar po vazhdon ta ndjekë çështjen përmes diplomacise.

Guillou vetë u shpreh se beson që do të mbetet në listën e sanksioneve gjatë mandatit të dytë të presidentit amerikan Donald Trump, dhe paralajmëron se kjo situate, mund te kete pasoja më të gjera.

“Nëse prokurorët kanë frikë të ndjekin penalisht, nëse avokatët kanë frikë të mbrojnë, nëse gjyqtarët kanë frikë të gjykojnë, nëse parlamentarët druhen të miratojnë ligje dhe ministrat kanë frikë t’i zbatojnë, atëherë nuk ka më demokraci”, deklaroi ai.