Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se është i gatshëm të vendosë sanksione të forta kundër Rusisë, por vetëm nëse të gjitha vendet e NATO-s bien dakord dhe ndalojnë së bleri naftë ruse. Ai theksoi se lufta në Ukrainë mund të përfundojë shpejt nëse Aleanca ndjek udhëzimet e tij.
Në një letër drejtuar vendeve anëtare dhe një postim në Truth Social, Trump kritikoi disa shtete që vijojnë të importojnë naftë nga Rusia, duke e quajtur këtë praktikë “tronditëse” dhe një dobësim serioz të pozicionit negociues të NATO-s.
“Jam gati të veproj sapo të jeni gati edhe ju. Nëse NATO vendos sanksione të përbashkëta dhe ndalon blerjen e naftës nga Rusia, lufta do të përfundojë shumë shpejt,” shkroi ai.
Kina dhe ndikimi mbi Rusinë
Trump përmendi gjithashtu Kinën, duke thënë se ajo ka ndikim të fortë mbi Moskën. Sipas tij, vendosja e tarifave prej 50% deri në 100% ndaj mallrave kineze nga të gjitha shtetet e NATO-s do të dobësonte ndjeshëm këtë ndikim. Ai propozoi që tarifat të hiqen vetëm pasi të përfundojë lufta.
Kritikë ndaj Biden dhe Zelensky
Në mesazhin e tij, Trump u distancua nga përgjegjësia për konfliktin, duke e quajtur atë “lufta e Bidenit dhe Zelensky-t”, ndërsa pretendoi se lufta nuk do të kishte nisur kurrë nëse ai do të ishte president.
“Unë jam këtu për të ndihmuar në ndalimin e saj dhe për të shpëtuar mijëra jetë ruse dhe ukrainase. Nëse NATO ndjek planin tim, kjo luftë do të mbyllet shpejt. Nëse jo, po humbni kohën, energjinë dhe paratë e SHBA-së,” shkroi Trump.