Demokratët në Kongresin amerikan kanë publikuar një shënim që thuhet se Presidenti Donald Trump ia kishte dërguar Jeffrey Epstein për ditëlindjen e tij të 50-të.
Letra, e përfshirë në dokumentet e dorëzuara nga avokatët e pasurisë së Epsteinit, përmban mesazhin: “Gëzuar ditëlindjen dhe çdo ditë të jetë një tjetër sekret i mrekullueshëm.”
Ky dokument u bë publik pas kërkesës ligjore të Komitetit Mbikëqyrës të Dhomës së Përfaqësuesve për dokumente nga ekzekutorët e pasurisë së Epsteinit, ndërsa po vazhdojnë hetimet për lidhjet e Trump me financierin e famshëm.
Trump ka mohuar se ai ka shkruar ose nënshkruar këtë shënim, duke e quajtur atë “një gjë të rreme”. Zëvendësshefi i stafit të Shtëpisë së Bardhë, Taylor Budowich, në një postim në platformën X, e quajti këtë pretendim “shpifje”, ndërsa publikoi disa imazhe të nënshkrimeve të presidentit, duke hedhur dyshime mbi autenticitetin e shënimit.
Sipas “Wall Street Journal”, që publikoi detajet për herë të parë në korrik, bashkëpunëtorja e Epstein, Ghislaine Maxwell, kishte organizuar një libër ditëlindjeje për Epstein me mesazhe urimi nga persona të njohur, përfshirë edhe këtë shënim të dyshuar nga Trump.
Marrëdhëniet mes Trump dhe Epstein kanë qenë të afërta për vite me radhë, por presidenti ka thënë se u largua nga miqësia me Epstein në fillim të viteve 2000. Në këtë kohë, Epstein ishte përballur me akuza për trafikim seksual dhe aktivitet të paligjshëm, ndërsa hetimet dhe padi të reja ndaj personave që raportuan për shënimin e ditëlindjes vazhdojnë.