Gazetari italian Sigfrido Ranucci, ka reaguar pas ngjarjes së mbrëmshme, ku iu vendos një bombë nën makinën e parkuar para banesës së tij. Sipas ANSA, shpërthimi i fuqishëm ka përfshirë automjetin e tij dhe atë të vajzës, të cilat ishin të parkuara para banesës së tyre në Pomezia.
Sipas hetimeve paraprake, mjeti nuk është aktivizuar me komandë në distancë apo me kohëmatës, por është lënë aty me fitil të ndezur, mes dy vazo lulesh jashtë vilës. Hetuesit po verifikojnë praninë e kamerave të sigurisë që mund të kenë filmuar momentin kur mjeti është vendosur.
“Kam dëgjuar një shpërthim të tmerrshëm, ishte ora 22:17. Madje edhe karabinierët e kanë dëgjuar përmes audios së disa personave që ndodheshin në zonë dhe po regjistronin me telefon në atë moment. Tani lëviz me makinë të blinduar. Po kush e bëri? Është e pamundur të thuhet në këtë moment. Bëhet fjalë për një kontekst mjaft të gjerë dhe për këtë janë bërë disa sinjalizime muajt e fundit”-, deklaroi Ranucci.
Në një video të publikuar në rrjetet sociale, shihet pjesa e përparme e makinës së Ranuccit e shkatërruar plotësisht, ndërsa automjeti ngjitur, ai i vajzës së tij është dëmtuar rëndë.
Fuqia e shpërthimit ka qenë aq e madhe sa mund të kishte vrarë këdo që kalonte aty në atë moment. Vajza e Ranuccit e kishte parkuar makinën vetëm njëzet minuta përpara shpërthimit.
Gazetari shpjegon se makina e tij ishte parkuar aty që në drekë nga i biri. Ranucci, i cili ndodhet nën mbrojtje policore që prej vitit 2014 për shkak të kërcënimeve me vdekje nga mafia, ka denoncuar prej kohësh “klimën e izolimit dhe delegjitimimit ndaj tij”, duke kujtuar se ka marrë kërcënime të shumta kohët e fundit, që nga gjetja e dy plumbave P38 jashtë shtëpisë, deri tek ndjekjet nga persona të identifikuar nga trupa e tij e sigurisë.