Zgjedhja e Papës së ri, Leo XIV, nuk është pritur mirë nga një pjesë e madhe e mbështetësve të Presidentit amerikan Donald Trump, veçanërisht nga politikanët dhe komentatorët e lidhur me lëvizjen MAGA.

Reagimet erdhën pasi u zbulua se Papa i ri kishte shprehur më herët kritika ndaj senatorit JD Vance dhe disa politikave kyçe të administratës Trump, përfshirë kontrollin e armëve, çështjet e emigracionit dhe reagimin ndaj vdekjes së George Floyd. Këto qëndrime kanë zemëruar thellësisht bazën konservatore në SHBA.

Steve Bannon, ish-këshilltar i lartë i Trumpit, e quajti Leon XIV “zgjedhjen më të keqe të mundshme për katolikët e MAGA-s”, duke e cilësuar si “Papa anti-Trump”. Joey Mannarino, me mbi 600 mijë ndjekës në rrjetet sociale, shkroi se Papa i ri është “një figurë liberale e rrezikshme”. Ndërsa Laura Loomer, e njohur për lidhjet e saj të afërta me Trumpin, publikoi në internet një kritikë të ashpër për një postim të mëhershëm të Papës, në të cilin ai shprehej se “duhet të lutemi për viktima si George Floyd dhe të varurit nga droga”.

Papa Leo XIV ka kaluar pjesën më të madhe të jetës dhe shërbesës së tij në Amerikën Latine, dhe kjo ka nxitur shqetësime në qarqet konservatore në SHBA për qëndrimet e tij sociale dhe politike.

Madje edhe vetë Trump reagoi me ironi ndaj zgjedhjes së tij. Ai postoi në Truth Social një imazh të krijuar me inteligjencë artificiale ku paraqitej vetë i veshur si Papë, me një vel të bardhë dhe mbulesë koke papale, duke komentuar me sarkazëm disa ditë para fillimit të konklavës që zgjodhi pasardhësin e Papa Françeskut. Në një postim të mëparshëm, Trump kishte thënë në shaka: “Do të më pëlqente të isha Papë.”