Avionët luftarakë amerikanë kanë kryer një sulm në Libi, ku kanë mbetur të vdekur 41 persona, ndërsa 6 të tjerë raportohet se janë plagosur. Sipas SHBA-së, objektivi i sulmit ishte eliminimi i liderit ekstremist tunizian Noureddine Chouchane dhe kampi i trajnimit të ISIS.
Sipas New York Times, i cili citon një burim perëndimor për lajmin e sulmit në Sabratha, tuniziani Chouchane, konsiderohet një nga përgjegjësit më ndikues të ISIS-it. Ky i fundit është i lidhur si me masakrën në Bardo, në mars 2015, ku humbën jetën 24 persona, ashtu edhe në atë në plazhin e Sousse, në qershor, ku u vranë 38 persona.
Jamal Naji Zubia, përgjegjës për mediat e huaja në Tripoli, ka saktësuar se sulmet ajrore amerikane kanë shënjestruar një shtëpi pak kilometra larg Sabrathas. Xhihadistët e vrarë janë para së gjithash me kombësi tuniziane.
ISIS ka një vit që funksionon në Libi, ndërsa SHBA ka rreth 6 mijë luftëtarë atje. Libia është në kaos, ndonëse ka kaluar më shumë se katër vjet pas përmbysjes së ish-liderit Muammar Gaddafi.
19 shkurt 2016 (gazeta-Shqip.com)