Ministria e Migracionit dhe Azilit në Greqi ka paraqitur një projektligj të ri që sjell ndryshime të rëndësishme në kuadrin e emigrimit ligjor, me qëllim zgjidhjen e problemeve në lëshimin dhe rinovimin e lejeve të qëndrimit, uljen e burokracisë dhe përmbushjen e nevojave të ekonomisë greke për fuqi punëtore.
Projektligji pritet të dorëzohet së shpejti në Komisionin përkatës Parlamentar dhe vjen në një kohë kur çështja e emigracionit po rikthehet fuqishëm në qendër të debatit, si në nivel kombëtar ashtu edhe europian. Qeveria synon të bëjë një ndarje të qartë mes emigrimit ligjor dhe atij të paligjshëm. Siç deklaroi ministri i Migracionit dhe Azilit, Thanos Plevris.
“Me projektligjin e ri për migrimin ligjor, po i japim fund vonesave kronike dhe bllokimeve burokratike që kanë dëmtuar punëtorët dhe bizneset”, tha ai.
Aktualisht, në Greqi jetojnë rreth 793 mijë emigrantë me dokumente të rregullta, ndërsa afro 293 mijë aplikime për leje qëndrimi mbeten ende në pritje. Vonesat kanë krijuar pasiguri për përfituesit, pasi shpesh lejet lëshohen pas skadimit, duke sjellë vështirësi në punësim dhe integrim shoqëror. Me rregullat e reja, pritet që rreth 90 mijë leje të zgjidhen menjëherë dhe 90 mijë të tjera brenda dy viteve të ardhshme.
Projektligji përfshin masa që lehtësojnë emigrantët që ndodhen tashmë ligjërisht në vend. Parashikohet rinovimi automatik i disa kategorive të lejeve të qëndrimit, veçanërisht kur emigranti vazhdon të punojë për të njëjtin punëdhënës, duke shmangur dorëzimin e panevojshëm të dokumenteve. Gjithashtu, çdo leje e re qëndrimi do të ketë një kohëzgjatje minimale prej dy vitesh, në mënyrë që vonesat administrative të mos i dëmtojnë emigrantët dhe të mos çojnë në humbje formale të statusit ligjor.
Një dispozitë e veçantë u jep mundësi emigrantëve që kanë jetuar ligjërisht në Greqi për pesë vjet ose më shumë, të riaplikojnë dhe të pajisen me leje qëndrimi, pasi të korrigjohen mangësitë procedurale. Ministria do të forcojë gjithashtu administratat që shqyrtojnë aplikimet dhe do të lejojë transferimin e dosjeve mes rajoneve, për të lehtësuar ngarkesën dhe për të përshpejtuar proceset.
Një tjetër masë ka të bëjë me emigrantët mbi 65 vjeç, të cilët kanë jetuar dhe punuar ligjërisht në Greqi për të paktën 20 vjet. Ata do të mund të qëndrojnë në vend pa detyrimin për të punuar, me kusht që të kenë sigurim shëndetësor dhe pensione private. Një risi në projektligj është mundësia për të ndryshuar punëdhënës pa humbur statusin ligjor të qëndrimit, çka rrit lëvizshmërinë në tregun e punës dhe ul rrezikun e shfrytëzimit.



