Duket se rregullat e talibanëve në Afganistan po bëhen çdo ditë e më shumë absurde!
Pas “fshirjes” thuajse tërësisht të grave nga jeta sociale, tashmë ka nisur përndjekja edhe ndaj burrave. Sipas mediave të huaja, policia e moralit ka arrestuar disa persona vetëm për shkak të modelit të flokëve që ata mbanin.
Në raportin e misionit të OKB-së në Afganistan, u tha se mbi gjysma e arrestimeve kishin të bënin “ose me burra që nuk e kishin gjatësinë e mjekrës apo modelin e flokëve në përputhje me rregullat, ose me berberë që ofronin shkurtime të mjekrës apo prerje të flokëve që nuk përputheshin me rregullat”.
Nga ana tjetër, arrestime ka pasur edhe për shkak se disa persona, nuk kanë shkuar në xhami për t’u falur. Gjatë muajit të Ramazanit, pjesëmarrja e obliguar në lutje e burrave është monitoruar nga afër dhe shpesh kjo ka çuar në arrestime të atyre që nuk kanë marrë pjesë në lutje.
Ministria për Parandalimin e Vesit dhe Promovimin e Virtytit në Afganistan publikoi ligjet e reja gushtin e vitit të kaluar. Legjislacioni mbulon shumë aspekte të jetës së përditshme në Afganistan, përfshirë transportin publik, muzikën, shkurtimin e mjekrës dhe festimet. Ndër ligjet e miratuara nga kjo ministri është edhe ndalesa për zërat dhe fytyrat e pambuluara të grave në publik.
Misioni i OKB-së tha se dy gjinitë janë prekur në mënyrë negative nga ligjet, veçanërisht personat që kanë biznese të vogla sikurse qendrat private të edukimit, berberët dhe floktaret, rrobaqepësit, bizneset që ofrojnë shërbime për dasmat dhe restorantet. Kjo ka çuar në ulje apo humbje të plotë të të ardhurave dhe mundësive për punësim.
Sipas raportit, ndikimet e drejtpërdrejta dhe të tërthorta socio-ekonomike nga zbatimi i ligjeve ka të ngjarë të përkeqësojnë edhe më shumë situatën e rëndë ekonomike në Afganistan. Një studim i Bankës Botërore ka vlerësuar se ndalimi i grave për të studiuar dhe punuar mund t’i kushtojë shtetit 1.4 miliard dollarë në vit. Sipas raportit të OKB-së, më shumë se 3.300 inspektorë janë të angazhuar për t’i informuar njerëzit për ligjet dhe zbatimin e tyre.






