Nicholas Deplano, një 24-vjeçar italian i lindur pa të dyja krahët, ka treguar se asgjë nuk është e pamundur kur ke vendosmëri. Ai ka arritur të shndërrojë kufizimin në forcë, duke përdorur këmbët në vend të duarve. Pasioni i tij për jetën dhe këmbëngulja e kanë çuar drejt arritjeve të mëdha, nga marrja e patentës së shoferit deri te karriera si DJ.

Më 25 shtator, Nicholas mori patentën e drejtimit pas një procesi gjashtëvjeçar, duke u bërë një nga rastet e rralla në Itali ku një shofer drejton makinën vetëm me këmbë. Ai shpjegon se sfidat më të mëdha nuk ishin teknike, por burokratike: “Kur më në fund u regjistrova në shkollën e drejtimit, më duhej më pak se një vit për ta marrë. Por duhej të përshtatnim makinën. Shkolla nuk mund të përballonte shpenzimin prej 9,000 eurosh vetëm për mua, ndaj mora mësime me makinën time, duke mbuluar vetë kostot.”

Për të, marrja e patentës është një “rilindje”: “Gjithmonë kam qenë i varur nga babai dhe vëllai për të lëvizur. Kur isha fëmijë dhe shokët kishin motorë, unë mbetesha vetëm në shtëpi. Tani kjo është një liri e re.”

Nicholas nuk është i apasionuar vetëm pas makinave, por edhe pas muzikës. Fillimisht nisi si hobi, duke miksuar në shtëpi, më pas u inkurajua nga një edukator për ta kthyer këtë pasion në profesion. Sot, ai performon me emrin artistik “FeetDJ”, një identitet që përfaqëson mënyrën e tij unike të të jetuarit.

Për të, aftësia e kufizuar është një formë evolucioni: “Unë kam evoluar duke bërë gjithçka me këmbët. Për të tjerët mund të duket e paimagjinueshme, por truri gjen mënyra të reja për të mbijetuar. Dhe këto zgjidhje mund të shërbejnë edhe për të tjerët.”

Ai thekson se shoqëria ende nuk është mjaftueshëm gjithëpërfshirëse: “Ka shumë pak ndërgjegjësim për aftësinë e kufizuar. Nuk kemi nevojë për bamirësi, por për barazi të vërtetë. Të drejtat duhet të jenë të njëjta për të gjithë, edhe në aspektin emocional.”

Mesazhi i tij është i qartë: “Mos u dorëzo kurrë, sepse ditën që dorëzohesh, shkatërron veten.”