Ish-zëdhënësi i partisë neonaziste greke ‘Agimi i Artë’, Ilias Kasidiaris, është liruar këtë të martë nga burgu i Domokosit, pasi përfundoi dënimin për rolin e tij në një organizatë kriminale.

Pas daljes nga burgu, Kasidiaris deklaroi se synon të rikthehet në politikë dhe paralajmëroi krijimin e një partie të re. Ai tha se do të angazhohet për një parti të fuqishme kombëtare, duke e lidhur projektin e tij me partitë nacionaliste që kanë fituar terren në vende të ndryshme të Evropës.

Sipas raportimeve nga mediat e huaja, Kasidiaris kritikoi ashpër qeverinë greke, duke deklaruar se synimi i tij është ta largojë atë nga pushteti. Ai gjithashtu kundërshtoi përpjekjet për ta penguar rikthimin e tij politik, duke thënë se vendimin përfundimtar e merr populli grek.

45-vjeçari u dënua në vitin 2020 me 13 vjet e gjysmë burg, pasi ‘Agimi i Artë’ u shpall organizatë kriminale. Drejtuesit e saj u konsideruan përgjegjës për drejtimin e një strukture të lidhur me sulme të dhunshme ndaj emigrantëve dhe kundërshtarëve politikë.

Në vitin 2023, Gjykata e Lartë e Greqisë ndaloi pjesëmarrjen në zgjedhje të partisë së themeluar nga Kasidiaris, ‘National Party-Greeks’, në zbatim të ndryshimeve ligjore që pengojnë partitë e drejtuara nga persona të dënuar për vepra të rënda penale.