Hannibal Gaddafi, djali më i vogël i ish-liderit libian Muamar Gaddafi, u lirua sot (10 nëntor) pas 10 vitesh paraburgim pa gjyq në Liban, për zhdukjen e klerikut shiit libanez Moussa al-Sadr. Lajmi u raportua Agjencia Kombëtare e Lajmeve Libaneze (NNA). Muamar Gaddafi u vra gjatë kryengritjes së vitit 2011 në Libi, së bashku me tre nga djemtë e tij.

Në vitin 2015, Hannibal Gaddafi u rrëmbye nga persona të armatosur në Siri, ku ishte vendosur me gruan dhe fëmijët e tij. Ai u dërgua në Liban, ku autoritetet e liruan nga rrëmbyesit e tij dhe e arrestuan pa e gjykuar kurrë. Ai u akuzua për fshehjen e informacionit në lidhje me zhdukjen misterioze të Imam Musa al-Sadr në Libi, në vitin 1978.

Hannibal ishte vetëm dy vjeç kur Sadr u zhduk dhe ai nuk kishte mbajtur kurrë një pozicion të lartë në Libi. Organizatat e të drejtave të njeriut kishin denoncuar kushtet e paraburgimit të tij, duke i përshkruar akuzat kundër tij si të rreme. Në vitin 2023, Hannibal Gaddafi hyri në grevë urie për të protestuar kundër paraburgimit të tij të vazhdueshëm, duke rezultuar në përkeqësimin e shëndetit të tij dhe duke kërkuar shtrimin në spital.

Muajin e kaluar, gjykatat libaneze urdhëruan lirimin e tij me kusht prej 11 milionë dollarësh. Avokatët e tij apeluan lirimin me kusht, i cili përfundimisht u ul në 900,000 dollarë, tha një burim gjyqësor.

“Gaddafi u lirua pasi avokatët e tij paguan garancinë”, raportoi agjencia shtetërore e lajmeve të Libanit.

Gjykata hoqi gjithashtu një ndalim udhëtimi për Hannibal Gaddafin. Qeveria e unitetit kombëtar me seli në Tripoli, e udhëhequr nga Abdelhamid al-Dbeiba, falënderoi Bejrutin për lirimin e 50-vjeçarit. Në të njëjtën kohë, ai përshëndeti “qëllimet e sinqerta të shprehura nga udhëheqja libaneze për të rivendosur marrëdhëniet diplomatike” midis dy shteteve dhe “zhvillimin e bashkëpunimit në nivele politike dhe ekonomike, si dhe për çështjet e sigurisë”.