Një ngjarje tragjike ndodhi mbrëmjen e së mërkurës në Uashington, ku dy punonjës të Ambasadës Izraelite u qëlluan për vdekje jashtë Muzeut Hebraik të Kryeqytetit Amerikan. Autori i dyshuar, 31-vjeçari Elias Rodriguez, u ndalua nga autoritetet pak minuta pas ngjarjes, ndërsa u kap në video duke bërtitur “Liri, liri Palestinë”.
Sipas Policisë Metropolitane të Uashingtonit, Rodriguez hapi zjarr ndaj çiftit jashtë muzeut rreth orës 21:00, në një kohë kur brenda ambienteve po zhvillohej një event i organizuar nga Komiteti Amerikan Hebraik.

Pamjet e publikuara nga një dëshmitare në Instagram tregojnë momentin kur Rodriguez ndalohet nga një roje sigurie, i cili mbante një jelek të policisë. Më pas dy qytetarë iu bashkuan për ta mbajtur nën kontroll. Ndërsa i shoqëruar drejt daljes, ai brohoriste “Liri, liri Palestinë” përpara kamerës.
Dëshmitarët, përfshirë Katie Kalisher dhe Yoni Kalin, treguan për BBC se fillimisht menduan se Rodriguez ishte në gjendje shoku dhe se kishte nevojë për ndihmë. Ata i dhanë ujë dhe përpiqeshin ta qetësonin, pa e ditur se ai ishte autori i të shtënave.
“Ne menduam se kishte nevojë për ndihmë. Ishim duke e qetësuar, duke i dhënë ujë. Askush nuk e dinte që ai sapo kishte vrarë dy njerëz në gjakftohtësi,” tha Kalin.
Pasi policia hyri brenda, Rodriguez nxori një keffiyeh të kuqe dhe deklaroi: “E bëra për Gazën. Liri Palestinës. Ka vetëm një zgjidhje, revolucion intifade.” Ai përsëriste vazhdimisht “Liri Palestinës”.
Ambasada e Izraelit në SHBA konfirmoi se viktimat ishin Yaron Lischinsky, 28 vjeç, dhe e dashura e tij Sarah Milgrim. Çifti pritej të fejohej në Jerusalem javën e ardhshme.
Lischinsky kishte shërbyer si asistent kërkimor në Departamentin Politik të Ambasadës që nga shtatori 2022 dhe kishte një përvojë trevjeçare në Forcat e Mbrojtjes të Izraelit. Ndërsa Milgrim kishte përfunduar studimet në Universitetin e Kansasit dhe Universitetin Amerikan, duke punuar që nga nëntori 2023 në Departamentin e Diplomacisë Publike të Ambasadës.
