Qeveria e Kosovës pritet të zgjerojë listën e zyrtarëve serbë, që do t’u ndalohet hyrja në Kosovë për shkak të krimeve dhe spastrimit etnik të shqiptarëve gjatë luftës së vitit 1999.
Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Petrit Selimi tha se, pas Vojislav Sheshelit dhe Lubisha Dikoviçit, lista mund të zgjerohet në varësi të argumenteve për zyrtarë të tjerë, ndërsa ka ftuar institucionet e drejtësisë të mbledhin argumente për të ngritur padi.
“I lutem Prokurorisë së Kosovës, institucioneve të rendit, Ministrisë së Brendshme, që të bazohen edhe në fakte e raporte, që të fillojnë procese gjyqësore ndaj personave, në mënyrë që të mos ndodhë vetëm ndalimi i tyre, por arrestimi. Madje edhe kërkimi nëpërmjet INTERPOL-it i këtyre personave”, tha Petrit Selimi.
Çdo zyrtar serb që dëshiron të hyjë në Kosovë, sipas marrëveshjes së Brukselit duhet të kërkojë leje 48 orë përpara, nga Prishtina zyrtare.
Për shkak të mosrespektimit të kësaj marrëveshjeje, Selimi i ka ndaluar hyrjen në Kosovë për një kohë të pacaktuar shefit të zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç.
Pavarësisht deklaratave kundër shtetësisë së Kosovës, qeveria në Prishtinë ka vendosur të lejojë, që serbët e Kosovës të votojnë në komunat e tyre për zgjedhjet e parakohshme të Serbisë, javën e ardhshme më 24 prill.
18 prill 2016 (gazeta-Shqip.com)