Qeveria britanike e drejtuar nga Keir Starmer ka thirrur ambasadorin e Iranit në Londër në formë “proteste” për ato që i cilëson veprime destabilizuese dhe spiunazh në favor të Teheranit në territorin britanik.

Vendimi vjen pas arrestimit të një shtetasi iranian, i akuzuar për përpjekje për të hyrë në mënyrë të paligjshme, së bashku me një grua, në bazën detare të Faslane, ku ndodhen nëndetëset bërthamore të Royal Navy.

Autoritetet britanike sqarojnë se rasti nuk lidhet me zjarrvënien e katër ambulancave në Londër, që i përkisnin një organizate hebraike, edhe pse një grup i vetëshpallur pro-iranian ka pretenduar përgjegjësinë, një pretendim që nuk është konfirmuar deri më tani.

Sipas një deklarate të Ministrisë së Jashtme britanike, nota e protestës drejtuar ambasadorit Seyed Ali Mousavi i referohet konkretisht incidentit në Faslane, duke e cilësuar atë si pjesë të një serie episodesh të ngjashme që lidhen me veprime “të pamenduara dhe destabilizuese” nga Irani dhe strukturat e tij.

Ngjarja ka çuar në arrestimin dhe akuzimin e një shtetasi iranian dhe një shtetaseje britaniko-iraniane për shkelje të ligjit për sigurinë kombëtare, nën dyshimin se kanë ndihmuar një shërbim të huaj inteligjence.

“Ky qeveri do të marrë të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur popullin britanik,” deklaroi një zëdhënëse e zyrës së Jashtme, duke shtuar se Londra do të vazhdojë të denoncojë publikisht çdo veprim destabilizues të Iranit, brenda apo jashtë territorit të saj.

Top Channel