Një gazetare ukrainase është përballur ditën e sotme me kryeministrin britanik, Boris Johnson.
Situata e “sikletshme” për liderin britanik ka ndodhhur gjatë një konference për shtyp në Poloni.
Gazetarja Daria Kaleniuk, u përlot teksa foli përballë Johson dhe e akuzoi atë se kishte frikë nga lufta.
Ajo i kërkoi gjithashtu që të marrë vendimin për të vendosu një zonë ndalim-fluturimi për të ndaluar avionët rusë të vrasin civilë.
“Ju keni ardhur në Poloni, s’keni shkuar në Kiev, kryeministër. Ju nuk do të vini në Lviv. Sepse keni frikë, sepse NATO nuk është gati të na mbrojë. Sepse NATO ka frikë nga Lufta e Tretë Botërore, por ajo tashmë ka filluar”, iu drejtua gazetarja.
Më pas shtoi: “Janë fëmijët ukrainas që po vriten. Ju po flisni për më shumë sanksione, por Roman Abramovich nuk është i sanksionuar, ai është në Londër. Fëmijët e tij nuk janë nën bombardime, fëmijët e tij janë atje në Londër. Fëmijët e Putinit janë në Holandë, në Gjermani, në vila. U janë sekuestruar këto vila? Nuk po e shoh këtë.”
Ndër të tjera gazetarja shpërthen në lot dhe shprehet: “Familjarët e mi janë të tmerruar, s’dinë ku të vrapojnë. Kjo është ajo që po ndodh”.
Ndërsa për këtë shpërthim kryeministri britanik iu përgjigj: “Faleminderit që erdhët këtu sot, dhe jam i kënaqur që keni arritur të arrini këtu. Ne si qeveri e Britanisë së Madhe s’mund t’ju ndihmojnë në mënyrën që ju dëshironi, jam i sinqertë për këtë.”
Edhe njëherë ai refuzoi thirrjet për të zbatuar një zonë ndalim-fluturimi.
“Fatkeqësisht implikimi i kësaj do të thotë se Mbretëria e Bashkuar do të angazhohej në rrëzimin e avionëve rusë, do të angazhohej në luftime të drejtpërdrejta me Rusinë, kjo nuk është diçka që ne mund të bëjmë, ose që ne e kemi parashikuar”, u shpreh ai, “mendoj se pasojat e kësaj do të ishin vërtet shumë të vështira për t’u kontrolluar.”- shtoi Johnson./ Gazeta Shqip