Ministria franceze e Shëndetësisë u ka dërguar në mënyrë diskrete një udhëzim agjencive rajonale të shëndetit (ARS), duke i urdhëruar të jenë të gatshme për një “konflikt me intensitet të lartë” deri në mars 2026, me parashikimin e deri në 50,000 të plagosur, kryesisht ushtarë të huaj. Armiku nuk përmendet drejtpërdrejt, por aluzioni është i qartë: Rusia. Ministrja e Punës dhe Shëndetësisë, Catherine Vautrin, e ka konfirmuar vetë këtë mobilizim, i cili nuk mbetet thjesht një çështje gazetareske. “Ministria e Shëndetësisë po përgatit spitalet për luftë”, raportoi revista satirike, por e besueshme, Le Canard enchaîné.
Udhëzimet dhe masat
Udhëzimi i dërguar më 18 korrik parashikon krijimin e qendrave mjekësore të posaçme pranë stacioneve, porteve apo aeroporteve për të pritur ushtarë të plagosur që kthehen nga fronti. Këto qendra duhet të kenë kapacitet trajtimi mesatarisht për 100 pacientë në ditë për dy muaj, me mundësinë e rritjes deri në 250 pacientë në ditë gjatë kulmeve tre-ditore.
Sipas dokumentit, spitalet civile duhet të jenë gati për të pritur midis 100,000 dhe 500,000 ushtarë të plagosur gjatë një periudhe nga 10 deri në 180 ditë. Theksi vihet te trajtimi i çrregullimeve post-traumatike dhe nevoja për mjekësi rehabilituese dhe fizike. Mjekët, pavarësisht specializimit të tyre, janë urdhëruar të jenë të gatshëm për t’u bashkuar me Shërbimin Shëndetësor të Forcave të Armatosura, i cili sot ka rreth 14,000 punonjës.
Po ashtu, drejtuesit e ARS duhet të informojnë komunitetin mjekësor se sistemi do të përballet me kufizime të kohës së luftës, si mungesa e burimeve dhe kërkesa të rritura.
Paralajmërimet politike
Presidenti Emmanuel Macron, gjatë këtij viti, ka paralajmëruar disa herë se lufta në Ukrainë mund të përhapet në territorin e BE-së dhe NATO-s. Ai ka nënvizuar se liria dhe siguria e Evropës janë të lidhura drejtpërdrejt me fatin e Ukrainës dhe ka premtuar oferta të reja për shërbim ushtarak për të rinjtë francezë që nga kjo vjeshtë. Së bashku me Britaninë e Madhe, Franca ka krijuar një koalicion për mbështetjen e paqes së qëndrueshme në kontinent.
Një fenomen evropian
Franca nuk është e vetme në këtë qasje. Shtetet që kufizohen me Rusinë – Lituania, Estonia, Letonia dhe Polonia – po investojnë gjithashtu në trajnime mjekësore, stërvitje evakuimi dhe ndërtimin e spitaleve nëntokësore për t’u përballur me një fluks të mundshëm masiv të të plagosurve në rast të një sulmi rus.