Leon Panetta, ish-drejtues i Pentagonit dhe i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës, ka ngritur shqetësimin se përplasja ushtarake ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Iranit mund të vazhdojë për të paktën gjashtë muaj. Sipas tij, Uashingtoni rrezikon të përfshihet në një tjetër konflikt të gjatë dhe pa një strategji të qartë daljeje në Lindjen e Mesme.

Në një intervistë për “The Guardian”, Panetta e përshkroi situatën si një ngërç të rrezikshëm, ku asnjëra palë nuk duket se është pranë arritjes së një rezultati vendimtar. Ai solli në vëmendje ndërhyrjet amerikane në Irak dhe Afganistan, duke paralajmëruar se edhe konflikti me Iranin mund të ndjekë një rrugë të ngjashme.

“Mundësia që luftimet të vazhdojnë edhe për gjashtë muaj, pa sjellë një zgjidhje, është shumë e madhe”, deklaroi ish-sekretari amerikan i Mbrojtjes.

Sipas analizës së tij, Donald Trump ndodhet përpara tri alternativave të vështira. Presidenti mund të urdhërojë tërheqjen dhe të pranojë se operacioni nuk i përmbushi synimet, të ruajë ritmin aktual të sulmeve të ndërsjella ose të përshkallëzojë ndërhyrjen për të marrë nën kontroll Ngushticën e Hormuzit.

Panetta vlerëson se pikërisht sigurimi i kësaj rruge detare duhet të jetë përparësia kryesore e Uashingtonit. Hormuzi konsiderohet një prej korridoreve më të rëndësishme të transportit të energjisë në botë dhe çdo bllokim i tij mund të ketë pasoja të konsiderueshme për tregjet ndërkombëtare.

Sipas ish-drejtorit të CIA-s, aftësia për të penguar lundrimin në ngushticë përbën një nga mjetet më të fuqishme që Teherani ka në dispozicion për të ushtruar presion mbi Shtetet e Bashkuara dhe ekonominë globale. Për këtë arsye, ai mendon se një rezultat i favorshëm për Uashingtonin do të kërkonte ndryshim rrënjësor të strategjisë dhe përqendrim te garantimi i lëvizjes së lirë në Hormuz.

Panetta tha se Trump e ka vendosur veten në një pozicion nga e cila është e vështirë të dalë, pasi secila prej zgjedhjeve shoqërohet me pasoja të rënda ushtarake dhe politike.

Përveç zhvillimeve në front, ish-zyrtari amerikan shprehu shqetësim edhe për situatën në strukturat drejtuese të mbrojtjes. Ai përmendi largimin e papritur të sekretarit të Ushtrisë, Dan Driscoll, si dhe raportimet për përplasje ndërmjet zyrtarëve të lartë.

Sipas tij, angazhimi i trupave në një moment kur zinxhiri komandues përballet me tensione të brendshme mund të dëmtojë imazhin e fuqisë amerikane. Panetta paralajmëroi se kundërshtarët mund ta interpretojnë këtë situatë si shenjë dobësie dhe mungese aftësie për zbatimin e objektivave ushtarakë.

Pentagoni i ka hedhur poshtë këto pretendime. Zëdhënësi Sean Parnell deklaroi se institucioni vazhdon të funksionojë normalisht nën drejtimin e sekretarit të Mbrojtjes, Pete Hegseth, dhe i cilësoi të pabazuara raportimet për kaos në strukturat drejtuese.

Panetta kritikoi edhe deklaratat e Trumpit se arritja e një marrëveshjeje është afër dhe se Ngushtica e Hormuzit është e hapur. Ai argumentoi se pretendime të tilla mund ta dëmtojnë besueshmërinë e presidentit, nëse nuk mbështeten nga zhvillimet konkrete në terren.

Ndërkohë, zëvendëspresidenti JD Vance ka shmangur përdorimin e termit “luftë” për përplasjen me Iranin. Ai ka pranuar gjithashtu se nuk mund të parashikojë nëse armiqësitë do të përfundojnë përpara zgjedhjeve të mesmandatit, të planifikuara për nëntor.