Deri në 300 fëmijë mund të evakuohen nga Gaza dhe t’u ofrohet kujdes mjekësor në Britani. Sipas mediave të huaja një prind ose kujdestar do të shoqërojë çdo fëmijë, si dhe vëllezërit e motrat nëse është e nevojshme dhe Ministria e Brendshme e Mbretërisë së Bashkuar do të kryejë kontrolle biometrike dhe sigurie para se të udhëtojnë.
Kjo do të ndodhë “paralelisht” me një iniciativë nga Project Pure Hope, një organizatë që synon të sjellë privatisht fëmijë të sëmurë dhe të plagosur nga Gaza në Britani për t’iu nënshtruar trajtimeve. Sipas UNICEF-it, më shumë se 50,000 fëmijë vlerësohet se janë vrarë ose plagosur në Gaza që nga tetori i vitit 2023.
Kryeministri britanik Keir Starmer tha javën e kaluar se Mbretëria e Bashkuar po përshpejton urgjentisht përpjekjet për të evakuuar fëmijët nga Gaza për trajtim. Një zëdhënës i qeverisë tha: “Ne po ecim përpara me planet për të larguar më shumë fëmijë nga Gaza që kanë nevojë për kujdes mjekësor urgjent, duke përfshirë sjelljen e tyre në Mbretërinë e Bashkuar për trajtim të specializuar atje, që është opsioni më i mirë për kujdesin e tyre. Ne po punojmë me ritëm të shpejtë për ta bërë këtë sa më shpejt të jetë e mundur, me detaje të mëtejshme që do të njoftohen në kohën e duhur.”
