Presidenti Trump tha të premten se SHBA-të po i afrohen shumë përmbushjes së objektivave të tyre në Iran, ndërsa Uashingtoni po shqyrton mundësinë e reduktimit të operacioneve ushtarake në rajon. 

“Po i afrohemi shumë përmbushjes së objektivave tona, ndërsa shqyrtojmë mundësinë e pakësimit të përpjekjeve tona të mëdha ushtarake në Lindjen e Mesme në lidhje me Regjimin Terrorist të Iranit”, tha Trump në një postim në Truth Social. 

Presidenti vazhdoi duke përmendur objektivat si degradimin e aftësisë raketore iraniane, lëshimet “dhe gjithçka tjetër që lidhet me to”, shkatërrimin e bazës industriale mbrojtëse të vendit, eliminimin e forcave detare dhe ajrore të saj, moslejimin e Iranit që t’i afrohet aftësisë bërthamore, si dhe mbrojtjen e aleatëve të SHBA-së në rajon, përfshirë Izraelin, Arabinë Saudite, Katarin, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreinin dhe Kuvajtin.

Trump vazhdoi të fliste për Ngushticën e Hormuzit, duke thënë se kombet që përdorin korridorin jetësor të transportit detar do të duhet ta ruajnë dhe ta patrullojnë atë. 

“Shtetet e Bashkuara jo! Nëse na kërkohet, ne do t’i ndihmojmë këto vende në përpjekjet e tyre për Hormuzin, por kjo nuk do të jetë e nevojshme pasi kërcënimi i Iranit të jetë zhdukur. Është e rëndësishme të theksohet se do të jetë një Operacion Ushtarak i lehtë për ta”, tha ai. 

Komentet e Trump vijnë ndërsa operacioni amerikano-izraelit në rajon hyn në javën e tretë. Administrata ka ofruar mesazhe të përziera se sa do të zgjasë konflikti.  rump u tha gazetarëve të premten se nuk dëshiron një armëpushim me Iranin.

«Nuk bëhet armëpushim kur shkatërrohet pala tjetër», tha ai. 

Presidenti i tha MS NOW të premten se mendon që SHBA-të e kanë “fituar” luftën dhe se e tëra çfarë po bën Irani “është bllokimi i Ngushticës së Hormuzit”. 

Trump ka thënë se nuk planifikon të dërgojë trupa në terren në Iran. Megjithatë, Pentagoni po përshpejton vendosjen e më shumë se 2,200 marinsave dhe marinarëve që u nisën për në Lindjen e Mesme nga San Diego të mërkurën.

Një vendosje e trupave tokësore do të ishte një përshkallëzim i konfliktit, gjatë të cilit të paktën 13 anëtarë të shërbimit amerikan janë vrarë dhe afërsisht 200 janë plagosur