Lufta në Ukrainë që vijon prej shkurtit të vitit të kaluar, sot është në ditën e 438-të. Një sulm goditi Rusinë, duke lënë të plagosur shkrimtarin pro-luftës, Zakhar Prilepin. I arrestuari nga autoritetet ruse pranoi se shpërthimin me bombë e komandoi nga distanca, sipas tij “me udhëzim nga shërbimi sekret ukrainas”. Kjo u njoftua nga Komiteti Hetimor Rus, i cituar nga mediat vendase.

Ushtria ukrainase konfirmon se ditët e fundit rrëzoi një raketë ruse me Patriotët e ardhur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Po ashtu, bën të ditur se ka shkatërruar një dron zbulues rus mbi Kiev. Banorëve të kryeqytetit të Ukrainës iu kërkohet që të mos shpërfillin sirenat e sulmeve ajrore e të gjejnë strehim në vende të sigurta.

Beteja të ashpra po zhvillohen në qytetet Bakhmut e Maryinka.

Dje, rusët nisën rreth 50 sulme, përfshirë gjashtë me raketa, në veçanti në Chasiv Yar, Kostiantynivka e Kherson. Po ashtu, pushtuesit filluan 48 sulme ajrore në pozicionet e trupave ukrainase dhe kundër zonave të populluara.

Ndërkaq, përfundoi operacioni i grupit mercenar pro-rus, Wagner në Bakhmut, i pagëzuar prej tij si “operacioni i grirjes së mishit”. Ashtu siç shpjegon themeluesi i Wagner-it, Prigozhin, “ndërhyrja në Bakhmut, nuk kishte qëllim kryesor marrjen e qytetit Bakhmut, por “bluarjen” e njësive të Forcave të Armatosura të Ukrainës, për të rregulluar një armëpushim që ushtria ruse të rimëkëmbte kapacitetet luftuese. Qëllimi i operacionit në Bakhmut i shërbeu plotësisht qëllimit të tij.

Në një tjetër zhvillim, gjatë natës, Ukraina nisi një sulm me dhjetë dronë në Krime, gadishullin ukrainas që Rusia e aneksoi në mënyrë të paligjshme në vitin 2014.

“Situata rreth centralit bërthamor Zaporizhzhia po bëhet gjithnjë e më e paparashikueshme dhe potencialisht e rrezikshme. Jam jashtëzakonisht i shqetësuar për rreziqet reale të sigurisë bërthamore”. Shqetësimin e shprehu kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, Rafael Grossi.