Një sulm ajror rus ka shkaktuar një tjetër tragjedi të rëndë në Ukrainë, ku një familje me katër anëtarë humbi jetën pas goditjes së banesës së tyre nga një dron rus. Viktimat janë një çift dhe dy fëmijët e tyre të vegjël,  6 dhe 4 vjeç.

Ngjarja ndodhi të martën në mëngjes (30 shtator), në fshatin Chernestchina, pjesë e komunës Krasnopilya në rajonin e Sumyt. Sipas kreut të komandës ushtarake rajonale, Oleg Grigorov, sulmi u krye me një avion pa pilot, i cili goditi një ndërtesë banimi.

“Një çift me dy fëmijët e tyre të vegjël jetonte në këtë shtëpi. Fatkeqësisht, askush nuk arriti të shpëtonte. Ekipet shpëtuese nxorën trupat e katër personave nga rrënojat, prindërit dhe djemtë e tyre, të moshës 6 dhe 4 vjeç,” shkroi Grigorov në një deklaratë në Telegram.

Ngjarja e rëndë vjen vetëm pak ditë pas një tjetër sulmi masiv me qindra dronë dhe raketa, i kryer natën mes të shtunës dhe të dielës, ku humbën jetën të paktën katër persona në Kiev, përfshirë një vajzë 12-vjeçare. Sulmet lanë dhjetëra të plagosur në rajone të ndryshme të vendit.

Ndërkohë, forcat ruse kanë intensifikuar ofensivën në rajonin e Sumyt, pasi dëbuan trupat ukrainase nga një pjesë e vogël e rajonit rus të Kurskut, të cilën forcat ukrainase e kishin mbajtur që nga vera e vitit 2024.

Megjithëse luftimet në Sumy janë shtuar, pjesa më e madhe e përleshjeve mbetet e përqendruar në Ukrainën lindore. Ushtria ruse ka përshpejtuar përparimin në këtë zonë në muajt e fundit, duke përfituar nga mungesa e pajisjeve dhe burimeve të ushtrisë ukrainase.

Që prej nisjes së agresionit në vitin 2022, forcat ruse kanë arritur të pushtojnë rreth 20% të territorit të Ukrainës, duke përfshirë pjesë strategjike në lindje dhe jug të vendit.