Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi në një intervistë për CNN se ushtria amerikane po e “shkatërron” Iranin, duke paralajmëruar se ofensiva pritet të intensifikohet në ditët në vijim.
“Po i shkatërrojmë shumë”, i tha Trump gazetarit Jake Tapper. “Mendoj se po shkon shumë mirë. Është shumë e fuqishme. Kemi ushtrinë më të madhe në botë dhe po e përdorim atë”, shtoi ai.
I pyetur nëse Shtetet e Bashkuara po ndërmarrin hapa të tjerë, përtej operacioneve ushtarake, për të ndihmuar popullin iranian të rimarrë kontrollin nga regjimi, Trump u përgjigj pozitivisht.
“Po. Por tani për tani duam që të gjithë të qëndrojnë brenda. Nuk ka siguri atje jashtë. Ne as nuk kemi filluar t’i godasim fort. Vala e madhe as nuk ka ndodhur. E madhja do të vijë së shpejti”, deklaroi presidenti amerikan.
Deklaratat vijnë në një klimë përshkallëzimi të fortë të tensioneve në rajon, ndërsa operacionet ushtarake mes SHBA-ve dhe Iranit vijojnë të zgjerojnë dimensionin e konfliktit.
