Presidenti amerikan Donald Trump ka hedhur një tjetër ide që ka shkaktuar reagime, duke deklaruar se po shqyrton “seriozisht” riemërtimin e Liqenit Ontario në “Liqeni Amerika”.

Përmes një postimi në rrjetin social Truth Social, Trump e ka lidhur propozimin me përplasjet tregtare mes Shteteve të Bashkuara dhe Kanadasë, duke argumentuar se Uashingtoni nuk pret të bëjë më shumë biznes me provincën kanadeze të Ontarios. Ai publikoi gjithashtu një hartë ku liqeni shfaqej me emrin e propozuar.

Deklarata vjen në një kohë tensionesh të shtuara tregtare mes dy vendeve. Administrata amerikane ka vendosur tarifa të larta ndaj importeve kanadeze, ndërsa Kanadaja ka paralajmëruar masa hakmarrëse.

Propozimi prek simbolikisht provincën e Ontarios, më e populluara në Kanada dhe një prej qendrave kryesore të industrisë së automobilave në Amerikën e Veriut, ku operojnë kompani si Ford, General Motors, Honda, Stellantis dhe Toyota.

I pyetur nga CNBC për deklaratën e Trump, ministri kanadez përgjegjës për tregtinë me SHBA-në, Dominic LeBlanc, tha se Kanadaja nuk do t’u përgjigjet deklaratave të administratës amerikane të bëra në rrjetet sociale.

Lëvizja e fundit e Trump kujton vendimin e tij të janarit 2025 për të urdhëruar riemërtimin e Gjirit të Meksikës në “Gjiri i Amerikës”, emërtim që më pas u regjistrua në bazën zyrtare gjeografike të Shteteve të Bashkuara.

Ndërkohë, përplasjet tregtare mes Uashingtonit dhe Otavës vijojnë, ndërsa të dyja palët kanë paralajmëruar masa të reja në kuadër të konfliktit për tarifat.