Ish-presidenti rus Dmitry Medvedev ka lëshuar paralajmërime të forta ndaj Europës dhe veçanërisht Gjermanisë, përmes një artikulli të publikuar në RT, ku flet për rritjen e tensioneve ushtarake dhe rrezikun e një përplasjeje të drejtpërdrejtë me Rusinë.
Medvedev, i cili mban postin e zv.kryetarit të Këshillit të Sigurisë në Federatën Ruse, pretendon se që prej shkurtit 2022 Europa ka hyrë në një fazë që ai e quan “operacion kundër-special ushtarak”, duke iu referuar reagimit të Perëndimit ndaj luftës së nisur nga Rusia në Ukrainë.
Në analizën e tij, ai akuzon Gjermaninë për rimilitarizim dhe paralajmëron se kjo, sipas tij, rikthen kujtimet e 22 qershorit 1941, datë që lidhet me pushtimin nazist të Bashkimit Sovjetik gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Sipas Medvedevit, Rusia duhet të mbajë forcat e saj në gatishmëri të lartë përgjatë kufirit perëndimor, pasi veprimet e qeverisë gjermane, sipas tij, përbëjnë kërcënim për sigurinë e Europës Qendrore dhe Lindore.
Ai shprehet gjithashtu skeptik ndaj çdo marrëveshjeje të re sigurie në Europë, duke deklaruar se elitat gjermane nuk do ta konsideronin veten të lidhura nga traktatet e ardhshme.
Në pjesën më të ashpër të artikullit, Medvedev paralajmëron për mundësinë e “shkatërrimit reciprok”, duke e lidhur këtë me atë që ai e quan fundi i qytetërimit europian, ndërsa shton se Rusia do të vazhdonte të ekzistonte edhe në një skenar të tillë ekstrem.
Ai reagoi edhe ndaj zhvendosjes së disa strukturave ushtarake amerikane në Europë dhe administrimit të tyre nga Gjermania, duke thënë se kjo prish balancën e forcës në kontinent dhe mund të sjellë një përgjigje direkte nga Moska.
Në artikullin e tij nuk munguan as komentet për Poland, për të cilën Medvedev deklaroi se ka vetëm “dy rrugë”: ose të mbetet “vasale e Gjermanisë”, ose të bëhet “partnere e Rusisë”.
