Të premten në mëngjes, një zëdhënës i Ministrisë kineze të Tregtisë njoftoi se Pekini po vlerëson mundësinë e nisjes së negociatave mbi tarifat me Shtetet e Bashkuara.

Ky ishte një lajm që pjesa tjetër e botës kishte kohë që e priste, pasi tarifat jashtëzakonisht të larta deri në 245% për disa eksporte kineze drejt SHBA-së po mbysin tregtinë ndërmjet dy ekonomive më të mëdha në botë, duke shtuar frikën për një recesion të afërt.

“Zyrtarët amerikanë kanë shprehur në mënyrë të përsëritur gatishmërinë për të negociuar me Kinën për çështjen e tarifave,” tha zëdhënësi përpara gazetarëve.

“Qëndrimi i Kinës është i njëjtë: nëse do të luftojmë, do të luftojmë deri në fund; nëse do të flasim, dera është e hapur… Nëse SHBA dëshiron të flasë, duhet të tregojë sinqeritet dhe të jetë e gatshme të korrigjojë praktikat e saj të gabuara dhe të heqë tarifat e njëanshme.”

Deklarata vjen një ditë pasi një llogari në rrjetin social Weibo, e lidhur me median shtetërore kineze, tha se SHBA kishte kërkuar të niste bisedimet, dhe një javë pasi ish-presidenti Trump pretendoi se bisedimet kishin tashmë filluar pretendim që Pekini e mohoi.

“Kina nuk ka asnjë nevojë të bisedojë me Shtetet e Bashkuara,” shkruhej në postimin e së enjtes nga Yuyuantantian, një llogari e lidhur me Televizionin Qendror të Kinës (CCTV). “Nga këndvështrimi i negociatave, Shtetet e Bashkuara janë pala më e shqetësuar për momentin.”

Këto deklarata janë pjesë e një cikli të vazhdueshëm mohimesh dhe pohimesh nga të dyja palët, që refuzojnë të marrin publikisht hapin e parë drejt dialogut.

Sot, pyetja nuk është më nëse do të ketë negociata, por kur do të ndodhin ato, në çfarë rrethanash dhe kush do të japë sinjalin e parë.

Një lojë nervash

Ekspertët e cilësojnë këtë përballje si një “lojë nervash” mes Trump dhe udhëheqësit kinez Xi Jinping, teksa të dy përpiqen të ruajnë imazhin para publikut, ndërkohë që në prapaskenë kërkojnë një rezultat të favorshëm – konkretisht, zbutjen e luftës tregtare.

“Pres këtë lloj luhatjeje në deklarata, sepse as Uashingtoni dhe as Pekini nuk duan të duken si pala që po tërhiqet,” thotë Ja Ian Chong, profesor i shkencave politike në Universitetin Kombëtar të Singaporit.

“Por zbutja do të ishte në përfitim të të dyja palëve, ndaj ekziston një shtysë e përbashkët për ta arritur atë.”

Ndërkohë, Wen-Ti Sung, anëtar akademik i Qendrës Australiane për Kinën në Botë, e përshkruan ndryshe: “Është si dy makina garash që përplasen drejtpërdrejt: kush shmanget i pari, shihet si më i dobët. Dhe në këtë pikë, asnjëra palë nuk do të duket e butë.”

Sipas tij, udhëheqësi që pranon se ka nisur i pari bisedimet për tarifat do të perceptohet si pala që ka bërë kompromisin.

“Kush duket më i dëshpëruar, humb peshën në tryezën e negociatave,” thotë Sung. “Të dyja palët duan ta portretizojnë tjetrën si më të etur për marrëveshje.”

Një ekuilibër i paqartë

Ky bllokim i pazakontë ku të dyja palët kërkojnë të njëjtin rezultat, por asnjëra nuk dëshiron të propozojë haptazi ka sjellë përdorimin e një taktike të njohur si “paqartësi konstruktive”: një gjuhë e qëllimshme e paqartë, që lejon secilën palë të pretendojë se ka të drejtë.

Sung e sheh postimin në Weibo si pjesë të kësaj strategjie.

“Kjo është një përpjekje e Pekinit për të përdorur lojëra fjalësh, në mënyrë që të krijojë një rrugëdalje për të dyja palët, duke ulur gradualisht tensionet.”

Një mënyrë për të shmangur përplasjen, sipas tij, është ndërmjetësimi nga një palë e tretë, që ofron një zgjidhje të pranueshme për të dyja palët. Opsioni tjetër është një “kuptim më i lirshëm i shprehjes ‘pala tjetër ka kontaktuar e para’”, çka do t’i lejonte palës që e nis e para dialogun të thoshte se po reagonte ndaj një sinjali të mëparshëm.

Në rastin e Trump dhe Xi, kjo do të lejonte që negociatat të nisnin ndërkohë që secili udhëheqës do të pretendonte se kishte arritur një fitore.

Fitore për publikun vendas

Pamja e jashtme është jetike. Siç vëren Chong, zbutja është një gjë, por prioritet për të dy udhëheqësit është të “shesin një fitore për publikun e tyre vendas”.

“Trump do që të tregojë se ka detyruar Pekinin të tërhiqet. Ndërsa Xi do që t’i tregojë popullit të tij dhe botës se ka bërë Trump-in të sillet më arsyeshëm dhe të jetë më i moderuar,” shpjegon ai.

Në planin e brendshëm, të dy përballen me pasoja ekonomike të tarifave. Këtë javë, Trump pati vështirësi të shuajë frikën e një recesioni, pasi të dhënat e reja treguan se ekonomia amerikane u tkurr për herë të parë që nga viti 2022.

Ndërkohë, Xi i cili edhe para tarifave përballej me konsum të ulët, krizë në sektorin e pronave dhe papunësi duhet të sigurojë popullin se është në gjendje të përballojë luftën tregtare dhe të mbrojë një ekonomi ende të brishtë pas pandemisë.

“Të dy e kuptojnë se në këtë fazë të luftës tregtare, nuk do të ketë një fitues absolut,” vlerëson Sung. “Trump e kupton se nuk do të arrijë 100% të kërkesave të tij, ndaj po kërkon një pikë kompromisi ku Kina t’i ofrojë diçka mjaftueshëm të favorshme që ai ta prezantojë si fitore.”

Nga ana tjetër, Kina nuk është e pafavorshme ndaj negociatave, por siç shton Sung, “janë të ngërthyer në dilemën e gjetjes së çmimit të duhur”.

Për Xi-n, kjo është një “lojë me dy nivele”: përveç negociatave me SHBA-në, Pekini duhet të ruajë fytyrën edhe brenda vendit, duke përforcuar narrativën e “Lindjes që ngrihet dhe Perëndimit që bie”.

“Një përulje e Lindjes përballë Perëndimit nuk përputhet me këtë narrativë të ringritjes,” shpjegon ai.

Në momentin e shkrimit të këtij artikulli, SHBA nuk i ka mohuar pretendimet e Kinës për përpjekje për dialog çka, sipas Chong, nënkupton se “ekziston një kontakt mes palëve”.

“Të dyja palët po flasin,” thotë ai. “Dhe kjo është një shenjë që ka mundësi për një marrëveshje.”

Megjithatë, nisja e negociatave nuk do të thotë se marrëdhëniet SHBA-Kinë që ishin të brishta edhe para shpërthimit të luftës tregtare janë afër stabilizimit.

Chong mbetet skeptik. Sipas tij, “pozicionimi aktual tregon se palët ende nuk janë në pikën ku po kërkojnë realisht rrugëdalje”.

“Secila palë shpreson që tjetra të bëjë lëshimin e parë, ndaj do të vazhdojnë këtë qëndrim deri sa njëra të lëshojë pe.”//BBC