Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, ka reaguar pas sulmeve të SHBA-së ndaj objekteve bërthamore në Iran, duke i cilësuar ato si një përshkallëzim të rrezikshëm që mund të ketë pasoja katastrofike.
Në një postim në platformën “X”, Guterres shkroi:
“Tani ka një rrezik të madh që konflikti në mënyrë të shpejtë mund të dalë nga kontrolli, me pasoja katastrofike për civilët, rajonin dhe botën. Duhet të evitohet spiralja e kaosit. Nuk ka zgjidhje ushtarake. Mënyra e vetme është diplomacia. Shpresa e vetme është diplomacia.”
Apeli i kreut të OKB-së vjen në një kohë kur tensionet në Lindjen e Mesme janë përshkallëzuar ndjeshëm pas sulmeve ajrore të Shteteve të Bashkuara ndaj Iranit.
Në SHBA, vendimi i presidentit Trump për të ndërmarrë një sulm pa miratim paraprak nga Kongresi ka nxitur kritika të forta nga senatorët demokratë.
Senatori Bernie Sanders deklaroi se Trump bëri një shkelje të rëndë të Kushtetutës.
“Autoriteti i vetëm që mund ta çojë këtë vend në luftë është Kongresi i SHBA-së. Presidenti nuk e ka këtë të drejtë,” tha Sanders.
Ndërkohë, kongresistët republikanë kanë mbështetur vendimin e Trumpit, duke e konsideruar atë si një masë të nevojshme për të parandaluar zhvillimin e armëve bërthamore nga Irani dhe për të garantuar sigurinë kombëtare të SHBA-së.
Situata mbetet e tensionuar, me vëmendjen e gjithë komunitetit ndërkombëtar të përqendruar tek reagimi i mundshëm i Iranit dhe ndikimet që mund të pasojnë në rajon dhe më gjerë.