Shefi i NATO-s, Mark Rutte ka ngritur alarmin se një luftë e mundshme mes aleancës dhe Rusisë është shumë pranë “dyerve” të Evropës.
Në një deklaratë nga Berlini, Rutte u bëri thirrje aleatëve evropianë të përgatiten për veprim ose rrezikojnë të përballen me një konflikt në shkallë të gjerë, referuar luftërave botërore. Më tej ai tha se shumë anëtarë të NATO-s nuk po e marrin seriozisht situatën dhe këmbënguli që Evropa duhet të rrisë urgjentisht shpenzimet e mbrojtjes dhe prodhimin e armëve për të penguar synimet e Vladimir Putin.
“Ne jemi objektivi i radhës i Rusisë. Kam frikë se shumë njerëz janë të vetëkënaqur dhe shumë të tjerë nuk e ndiejnë urgjencën. Shumë veta besojnë se koha është në anën tonë. Epo ja që nuk është. Koha për veprim është tani. Konflikti është te dera jonë. Rusia e ka sjellë luftën përsëri në Evropë. Dhe ne duhet të jemi të përgatitur”- tha ai.
Rutte paralajmëroi se Rusia mund të jetë gati të përdorë forcën ushtarake kundër NATO-s brenda pesë vjetësh dhe tha se pa investime të menjëhershme, Evropa mund ta gjejë veten duke luftuar një luftë që të kujton katastrofat e shekullit të 20-të që shkatërruan kontinentin.
Paralajmërimi i tij erdhi ndërsa Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky po zhvillonte bisedime urgjente me udhëheqës dhe zyrtarë nga rreth 30 vende që mbështesin përpjekjet e Kievit për të siguruar kushte të drejta për t’i dhënë fund luftës me Rusinë.



