Punonjësit e Lufthansas kane nisur këtë të premte në grevë, që rrezikon të shkaktojë anulimin e qindra fluturimeve.
Greva e thirrur nga sindikata UFO pritet të zgjasë nga ora 00:01 deri në 22:00 dhe do të prekë të gjitha nisjet e Deutsche Lufthansa AG nga aeroportet kryesore të Frankfurtit dhe Mynihut, si dhe nisjet e degës rajonale Lufthansa Cityline nga nëntë aeroporte të tjera, përfshirë Hamburgun, Bremenin, Shtutgartin, Këlnin, Dyseldorfin, Berlinin dhe Hanoverin. Për pasagjerët kjo do të thotë anulime masive.
Shoqata e aeroporteve ADV parashikon se mbi 520 fluturime mund të anulohen. Në Frankfurt, nga rreth 350 nisje të planifikuara të Lufthansa-s, 75% janë anuluar, ndërsa raportimet lokale tregojnë se rreth 280 nisje dhe 270 ulje janë pezulluar. Aeroporte të tjera të mëdha si Hamburgu dhe Berlini kanë përjetuar gjithashtu anulime të dhjetëra fluturimesh. Greva ka pasoja edhe për udhëtarët që kthehen nga pushimet e Pashkëve, për shkak të mungesës së avionëve.
