Maximus Textoris Pulcher, macja e kryeministrit të Belgjikës Bart De Wever, është kthyer në një fenomen të vërtetë në rrjetet sociale, duke i dhënë kreut të qeverisë një imazh më njerëzor dhe më të afërt me publikun.
Maximus, një mace gri e adoptuar nga një strehë kafshësh, u shpall zyrtarisht rezidente e selisë së kryeministrit në Rue de la Loi 16 në Bruksel gjatë muajit gusht. Që prej asaj kohe, profili i saj në Instagram ka arritur mbi 142 mijë ndjekës, duke u renditur si llogaria politike e dytë më e ndjekur në Belgjikë, pas asaj të vetë Bart De Wever.
Emri i plotë, Maximus Textoris Pulcher, është një lojë fjalësh në latinisht, e lidhur me pasionin e kryeministrit për historinë romake, dhe përkthehet si “Maximusi i bukur i De Wever-it”. Kryeministri e ka adoptuar macen e racës Scottish Fold dhe nuk ngurron ta përmendë shpesh me humor në daljet e tij publike.
Postimet e Maximusit, ku ajo shihet duke pushuar në zyrë, duke luajtur apo duke “mbikëqyrur” mbledhjet qeveritare, kanë tërhequr vëmendje të madhe në rrjetet sociale. Ndryshe nga macja Larry në Downing Street në Britani, Maximus shoqërohet shpesh me komente ironike që prekin tema të politikës belge, nga grevat kombëtare deri te negociatat e vështira buxhetore.
Sipas analistëve politikë në Bruksel, profili i maces përcjell një mesazh të nënkuptuar politik, duke e paraqitur De Wever si një lider punëtor dhe më pranë qytetarëve, në kontrast me imazhin e tij tradicional si figurë e ashpër dhe shpesh polemike.
Macja, që në postime paraqitet shpesh si “shefi i vërtetë”, ka krijuar simpati edhe tek qytetarët që zakonisht qëndrojnë larg politikës. Edhe kritikat e kundërshtarëve nuk kanë pasur ndikim negativ, përkundrazi, sipas ekspertëve, ato kanë forcuar më tej perceptimin pozitiv të kryeministrit.
Në një vend ku politika shpesh perceptohet si e ndërlikuar dhe konfliktuale, Maximus duket se ka arritur të tërheqë vëmendjen dhe simpatinë e publikut pa thënë asnjë fjalë.
