Një krizë e re politike ka përfshirë Francën, pasi kryeministri Sébastien Lecornu dha dorëheqjen vetëm 14 orë pas emërimit të kabinetit të tij të ri. Ai pritej të mbante mbledhjen e parë të qeverisë në pasdite, por reagimet e ashpra që pasuan publikimin e përbërjes së kabinetit e detyruan të tërhiqej. Lecornu pranoi se “kushtet nuk ishin përmbushur për të ushtruar detyrën e tij si kryeministër”, duke denoncuar “orekset partiake” që, sipas tij, e shtynë drejt dorëheqjes. Kështu, periudha 27-ditore e tij në detyrë u bë më e shkurtër se çdo mandat tjetër në historinë moderne franceze.


Dorëheqja që tronditi Francën dhe Evropën

Dorëheqja e Lecornu-t thellon krizën politike që ka përfshirë Francën prej më shumë se një viti, pas zgjedhjeve të parakohshme legjislative të vitit 2024, të thirrura nga presidenti Emmanuel Macron, të cilat prodhuan një parlament të bllokuar dhe të përçarë.

Një zëdhënës i qeverisë gjermane e quajti “të domosdoshme” që Franca të mbetet e qëndrueshme, duke theksuar se stabiliteti francez është “thelbësor për gjithë Evropën”.

Në tregje, pasojat ishin të menjëhershme: euro ra me 0.7% duke arritur në 1.1665 dollarë, aksionet franceze humbën vlerë, ndërsa kostot e huamarrjes për Parisin u rritën ndjeshëm.


Një krizë e nisur nga vendimet e Macron

Krizës aktuale i parapriu vendimi i Macronit për të shpërndarë Asamblenë Kombëtare në qershor 2024, në përpjekje për të forcuar aleancën e tij pro-evropiane të qendrës. Por ky hap rezultoi fatal: zgjedhjet prodhuan një legjislaturë të fragmentuar, pa asnjë bllok politik dominues.

Që atëherë, Macron ka refuzuar të shpallë zgjedhje të reja apo të japë dorëheqjen përpara përfundimit të mandatit të tij në vitin 2027. Tani ai pritet të emërojë një kryeministër të ri – të tetin gjatë presidencës së tij, për të shmangur zgjedhje të reja që mund të favorizojnë të djathtën ekstreme.


E djathta ekstreme në rritje

Liderja e ekstremit të djathtë, Marine Le Pen, e cilësoi dorëheqjen “shenjë të dështimit të plotë” të Macronit, duke e ftuar presidentin të japë vetë dorëheqjen dhe të shpallë zgjedhje të reja. Sipas Le Monde, Macron ndodhet “i vetëm përballë krizës”. Lecornu, ashtu si dy paraardhësit e tij — François Bayrou dhe Michel Barnier — nuk arriti të siguronte mbështetje parlamentare për buxhetin shtrëngues të vitit të ardhshëm.


Ekonomi në prag të stuhisë

Borxhi publik francez ka arritur nivele rekord: raporti borxh/PBB është tashmë i treti më i lartë në BE, pas Greqisë dhe Italisë, gati dyfishi i kufirit të lejuar nga Brukseli.
Sipas analistes Mujtaba Rahman nga Eurasia Group, çdo opsion që Macron ka në dorë “është i rrezikshëm”. Dorëheqja ose zgjedhjet e reja do të hapnin rrugën për të djathtën ekstreme, ndërsa emërimi i një kryeministri të ri do të kërkojë një balancim delikat mes krahut të majtë dhe atij të djathtë për të shmangur një krizë të re politike dhe fiskale.