Presidenti francez Emmanuel Macron ka propozuar një rritje të ndjeshme të shpenzimeve ushtarake, duke paralajmëruar se Europa po përballet me rrezikun më të madh për lirinë e saj që prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

Në një fjalim të mbajtur në Paris para forcave të armatosura, Macron tha se jemi në një “moment kyç” për shkak të tensioneve të larta gjeopolitike dhe i bëri thirrje qeverisë që të rrisë buxhetin e mbrojtjes me 3.5 miliardë euro vitin e ardhshëm, dhe më pas edhe me 3 miliardë euro të tjera në vitin 2027.

“Për të qenë i lirë në këtë botë, duhet të të kenë frikë. Dhe që të të kenë frikë, duhet të jesh i fuqishëm,” deklaroi Macron, duke e lidhur drejtpërdrejt forcimin ushtarak me sigurinë dhe pavarësinë e vendit. Ai e konsideroi kërcënimin që vjen nga Rusia si një nga sfidat kryesore, duke e cilësuar Moskën si një “fuqi aneksuese” me politika imperialiste.

Macron paralajmëroi gjithashtu për rikthimin e tensioneve të mëdha globale, duke përmendur bombardimet amerikane ndaj Iranit, konfliktet mes Indisë dhe Pakistanit dhe “ulje-ngritjet” në mbështetjen amerikane për Ukrainën.

Megjithëse propozimet për dyfishimin e buxhetit ushtarak duhet të miratohen ende nga qeveria, Macron u shpreh i bindur se Franca duhet të veprojë për të mbrojtur veten dhe Europën. Së fundmi, edhe kreu i ushtrisë franceze Thierry Burkhard ka deklaruar se Moska e sheh Francën si “armikun e saj kryesor në Europë”.