Presidenti francez Emmanuel Macron ka paralajmëruar për situatën kritike të krijuar nga zjarret masive që kanë përfshirë Francën, duke e cilësuar krizën si më të vështirën që vendi ka përjetuar që nga Lufta e Dytë Botërore.

Gjatë një vizite në Qendrën e Operacioneve të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit në Bordeaux, në zonën Gironde, një nga më të goditurat nga flakët, Macron falënderoi ekipet e emergjencës dhe të gjitha vendet që kanë ndihmuar në përballimin e situatës.

“Është një situatë e paprecedentë. Kemi një gjendje që është më e vështirë se në çdo kohë që nga Lufta e Dytë Botërore”, deklaroi Macron.

Sipas presidentit francez, moti i thatë dhe temperaturat e larta gjatë javëve të fundit kanë rritur ndjeshëm rrezikun e përhapjes së zjarreve.

“Duhet të jemi realistë: javët e ardhshme do të jenë të vështira. Çelësi është urgjenca dhe qëndrueshmëria”, u shpreh Macron.

Autoritetet franceze vijojnë operacionet për shuarjen e flakëve, ndërsa ekipet e zjarrfikësve po përballen me kushte të vështira për shkak të erërave dhe temperaturave të larta.