Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka paralajmëruar masa të reja kundër protestave të paautorizuara, pas trazirave dhe akteve të vandalizmit të regjistruara gjatë fundjavës së kaluar në Francë.

Pas një takimi me drejtuesit e shërbimeve të inteligjencës dhe ministrat e kabinetit, Macron deklaroi se demonstratat e organizuara nga sindikatat dhe grupet e tjera do të lejohen, por protestat e konsideruara të paligjshme do të ndalohen. Ai shtoi se autoritetet mund të ndryshojnë itineraret e tubimeve për të mbrojtur bizneset dhe për të parandaluar përplasjet.

Presidenti francez fajësoi grupet e së majtës ekstreme dhe personat që kryen akte vandalizmi për dhunën e së shtunës së kaluar, duke i cilësuar veprimet e tyre si përpjekje për të rrëzuar Republikën.

Deklaratat vijnë në prag të një fundjave të tensionuar, ndërsa autoritetet franceze po marrin masa për të parandaluar përsëritjen e trazirave. Në Lion, qytetin e dytë më të madh të vendit, autoritetet lokale kanë ndaluar të gjitha protestat e planifikuara për të shtunën.

Megjithatë, organizatat studentore, përfshirë sindikatën UNEF, kanë bërë thirrje për tubime të reja, ndërsa lëvizja “Jelekët e Verdhë” ka kërkuar leje për një marshim në qendër të Parisit.

Frika nga dhuna ka bërë që bizneset në zonat qendrore të kryeqytetit të mbulojnë vitrinat me dërrasa për të shmangur dëmet e mundshme. Edhe kompania e produkteve luksoze Hermès ka njoftuar shtimin e masave të sigurisë në dyqanet e saj në Francë.

Ndërkohë, në Orlean, autoritetet po përgatiten për tensione të mundshme, pasi Tubimi Kombëtar, parti e së djathtës ekstreme, pritet të zhvillojë takimin e përvitshëm. Në të njëjtën kohë, sindikatat dhe grupet e majta kanë paralajmëruar demonstrata.

Masat e sigurisë janë shtuar edhe në Paris, ku një protestë studentore e planifikuar për të enjten u ndalua. Disa stacione metroje në qendër të kryeqytetit u mbyllën gjithashtu në pritje të grumbullimeve të mundshme të paautorizuara.

Trazirat e nisura më 17 tetor kanë ngritur shqetësime për situatën e rendit publik dhe aftësinë e autoriteteve për të kontrolluar dhunën. Sipas raportimeve, dy persona janë arrestuar në lidhje me një sulm me zjarr ndaj bashkisë së Limoges.

Megjithatë, nata e tretë radhazi me kufizime lokale të lëvizjes në zonat e prekura nga dhuna kaloi pa incidente madhore, duke i dhënë qeverisë një lehtësim të përkohshëm përpara protestave të paralajmëruara.

Përtej përplasjeve në rrugë, pakënaqësia sociale mbetet një nga faktorët që rëndojnë situatën në Francë. Rritja e kostos së energjisë, vështirësitë ekonomike të familjeve dhe shqetësimet për cilësinë e shërbimeve publike kanë shtuar pakënaqësinë mes punonjësve dhe të rinjve.

Në planin politik, qeveria ka akuzuar grupet e së majtës radikale për nxitjen e trazirave, ndërsa tensionet janë reflektuar edhe në tregjet financiare. Të enjten, yield-i i obligacioneve 10-vjeçare franceze u ngjit mbi atë të obligacioneve amerikane me të njëjtin maturim, për herë të parë që nga viti 2013.

Qeveria franceze përballet tashmë me sfidën e garantimit të rendit publik dhe menaxhimit të pakënaqësisë sociale, ndërsa autoritetet po përpiqen të shmangin një tjetër valë dhune gjatë fundjavës.