Franca ka njoftuar arritjen e një marrëveshjeje historike me Kaledoninë e Re, që parashikon shpalljen e arkipelagut si një “shtet i ri”, por që do të mbetet pjesë e Republikës Franceze.

Lajmi u konfirmua nga zyrtarët francezë pas 10 ditësh bisedimesh mes përfaqësuesve të qeverisë, drejtuesve lokalë dhe grupeve pro dhe kundër pavarësisë. Marrëveshja synon të zgjidhë krizën e thellë politike në këtë territor, pas valës së dhunës që përfshiu ishullin në maj 2024, ku humbën jetën 14 persona dhe u shkaktuan dëme ekonomike mbi 2 miliardë euro.

Sipas marrëveshjes:

Kaledonia e Re do të ketë statusin e një shteti brenda Francës, me shtetësi të veçantë kaledonase, përveç asaj franceze.

E drejta e votës do t’u jepet vetëm atyre që kanë jetuar të paktën 10 vjet në territor, për të mbrojtur përfaqësimin e popullsisë autoktone Kanak.

Referendumet për pavarësi nuk do të përsëriten, përveç një referendumi të vetëm që do të konfirmojë këtë marrëveshje.

Presidenti Emmanuel Macron dhe kryeministri François Bayrou e kanë vlerësuar marrëveshjen si një hap historik për stabilitetin dhe të ardhmen e arkipelagut, që ndodhet rreth 17,000 km larg Parisit dhe ka një popullsi prej rreth 270,000 banorësh.

Marrëveshja do të miratohet në parlamentin francez në fund të vitit 2025, ndërsa referendumi në Kaledoninë e Re për konfirmimin e saj pritet të mbahet në vitin 2026.

Dokumenti 13-faqësh parashikon gjithashtu një pakt për rimëkëmbjen ekonomike, me fokus në industrinë e përpunimit të nikelit, një nga burimet kryesore të ekonomisë së arkipelagut.