Një incident ka ndërprerë fjalimin e politikanit hungarez Péter Magyar gjatë një aktiviteti elektoral në qytetin e Szolnokut, pasi një 51-vjeçar nga turma tentoi ta godiste me vezë.

Ngjarja ndodhi më 26 shtator, gjatë turit elektoral të Magyarit nëpër Hungari. Veza u hodh në drejtim të skenës, por nuk e preku politikanin dhe përfundoi mes të pranishmëve.

Pamjet e publikuara nga “Kontroll” tregojnë se burri u ndalua fillimisht nga dy persona me rroba civile, ndërsa më pas ndërhyrën edhe dy të tjerë. Sipas raportimeve, ata ishin pjesëtarë të autoriteteve.

I pyetur nga gazetarët për arsyen e veprimit, 51-vjeçari u shpreh: “Më vjen keq që nuk e godita në kokë”.

Policia e mori në pyetje dhe më pas e liroi. Rasti po trajtohet si shkelje e rendit dhe prishje e qetësisë publike.

Ky nuk është incidenti i parë gjatë turit politik të Magyarit. Një javë më parë, gjatë Festivalit të Vjeljes në Szekszárd, një burrë i hodhi verë politikanit teksa ai ndodhej pranë një stende.

Pas incidentit në Szolnok, Magyar u bëri thirrje mbështetësve të tij të mos përshkallëzonin situatën. Gjatë fjalimit, ai tha se njerëzit nuk duhet të përballen me njëri-tjetrin si kundërshtarë, pavarësisht dallimeve politike.

Në të njëjtin aktivitet, Magyar deklaroi se, nëse do të drejtonte qeverinë, nuk do të ndërtohej një fabrikë elektroliti në Szolnok. Aktiviteti u shoqërua gjithashtu me protesta të vogla kundër industrisë së baterive.

Incidenti me vezën është i fundit në një seri përplasjesh të raportuara gjatë daljeve publike të Magyarit në kuadër të turit të tij elektoral në Hungari.