Dy persona kanë humbur jetën dhe katër të tjerë kanë mbetur të plagosur rëndë pas një aksidenti të rëndë të regjistruar në Doncaster, në Britaninë e Madhe.
Ngjarja ndodhi të dielën, më 13 shtator, ndërsa Policia e South Yorkshire publikoi më vonë të dhëna mbi dinamikën e përplasjes dhe personat e përfshirë.
Sipas autoriteteve, një Mitsubishi L200 me ngjyrë të zezë humbi kontrollin gjatë lëvizjes dhe goditi katër këmbësorë. Automjeti vijoi më pas trajektoren, duke u përplasur edhe me dy makina që udhëtonin në kahun e kundërt, një Audi të zi dhe një BMW ngjyrë argjendi.
Përplasja rezultoi fatale për dy prej këmbësorëve, të cilët nuk mundën t’u mbijetonin plagëve dhe u shpallën të vdekur në vendngjarje.
Katër persona të tjerë u dërguan me urgjencë në spital për trajtim mjekësor. Ata kanë pësuar dëmtime serioze, por sipas policisë gjendja e tyre nuk konsiderohet kërcënuese për jetën.
Në vijim të ngjarjes, policia ndaloi drejtuesin 30-vjeçar të Mitsubishi-t. Ndaj tij rëndojnë dyshime për shkaktimin e dy vdekjeve dhe plagosjeve të rënda si pasojë e drejtimit të rrezikshëm të automjetit, si dhe për drejtim në kushte të papërshtatshme.
Pas procedurave të para hetimore dhe marrjes në pyetje, 30-vjeçari është lënë i lirë me kusht.
Autoritetet britanike po vijojnë hetimet për të rindërtuar plotësisht dinamikën e aksidentit dhe për të përcaktuar shkaqet që çuan në humbjen e kontrollit të automjetit.
