Një protestë e thirrur nga grupet e ekstremit të djathtë në Hagë degjeneroi në përplasje të dhunshme me policinë të shtunën, ndërsa qindra persona dolën në rrugë për të kundërshtuar emigracionin dhe politikat e azilit në Holandë.

Të veshur me të zeza dhe duke valëvitur flamuj holandezë e simbole të ekstremit të djathtë, protestuesit hodhën gurë dhe shishe ndaj forcave të rendit, dogjën një makinë patrullimi dhe vandalizuan zyrën e partisë së qendrës së majtë D66. Policia u kundërpërgjigj me gaz lotsjellës dhe ujë me presion, ndërsa për një periudhë të shkurtër u bllokua edhe autostrada.

Kryeministri në detyrë, Dick Schoof, reagoi ashpër përmes një postimi në rrjetin X:
“Pamje tronditëse dhe absurde të dhunës së paturpshme në Hagë. Sulmi ndaj policisë është i papranueshëm”, shkroi ai, duke premtuar se autorët do të ndiqen penalisht.

Protesta ishte thirrur nga një figurë e re e njohur në rrjetet sociale si “Els e Djathta”, e cila më vonë u distancua nga dhuna.
“Mendova se njerëzit do të protestonin paqësisht. Nëse do ta kisha ditur se çfarë do të ndodhte, nuk do ta kisha organizuar fare,” u shpreh ajo.

Incidenti ndodhi pak javë para zgjedhjeve të parakohshme të 29 tetorit, pas rrëzimit të qeverisë, ku çështja e migracionit rezultoi përcaktuese. Lideri i ekstremit të djathtë, Geert Wilders, refuzoi të fliste në protestë dhe e dënoi dhunën si “të papranueshme”.