Lirimi nën mbikëqyrje gjyqësore i Nicolas Sarkozy-t, i cili ndodhet në burg prej 20 ditësh, u propozua nga prokurori në Gjykatën e Apelit të Parisit, ku po shqyrtohet apeli i ish-presidentit francez. Sipas arsyetimit të prokurorit, Damien Brinet, “serioziteti ekstrem i ngjarjeve dhe ashpërsia e dënimit nuk duhet të merren parasysh. Vetëm kriteret e nenit 144 (të Kodit të Procedurës Penale) janë të rëndësishme”.
Siç shpjegoi prokurori Damien Brinet, rreziqet e bashkëpunimit me bashkëpunëtorë të mundshëm ose të ushtrimit të presionit mbi dëshmitarët “mbështesin kërkesën për ta vendosur (Sarkozyn) nën mbikëqyrje gjyqësore. Kujtojmë se ish-presidenti i Francës u dënua në rastin e financimit të fushatës së tij presidenciale nga regjimi i Gadafit në Libi në vitin 2007.
Vetë ish-presidenti deklaroi sot gjatë shqyrtimit të kërkesës së tij nga gjykata e apelit se qëndrimi i tij në burg është “shumë i ashpër”, “dobësues”, “një makth”.
“Është e vështirë, shumë e vështirë, sigurisht për çdo të burgosur, dhe madje do të thoja se është rraskapitëse”, tha ai, duke shtuar se donte t’i shprehte homazh stafit të burgut që “e bënë këtë makth të durueshëm” ndërsa gruaja e tij Carla Bruni ishte e pranishme.
