Tre figura publike malazeze hodhën akuza kundër zyrtarëve të lartë të shtetit për rolin e tyre në dëbimin e refugjatëve në vitin 1992.
Milena Milosevic BIRN Podgoricë
Të enjten, Milan Popovic, profesor universiteti, Esad Kocan, redaktor i revistës Monitor, dhe Koca Pavlovic, politikan i opozitës, hodhën akuza kundër ish kryeministrit malazez Milo Djukanovic, dhe disa zyrtarëve të tjerë për dëbimin e refugjatëve në vitin 1992.
Hodhën gjithashtu akuza kundër prokurorit të shtetit Ranka Carapic dhe bashkëpunëtorëve të tij, duke thënë se ndihmuan që autorët e krimit mos të silleshin para drejtësisë.
Baza kryesore për akuzat është një dëshmi e dhënë nga Momir Bulatovic, presidenti i Malit të Zi në vitin 1992, në Gjykatën e Lartë në Podgoricë në vitin 2010.
Bulatovic u paraqit si dëshmitar në gjyqin e nëntë ish zyrtarëve të policisë të cilët janë paditur për arrestimin e paligjshëm dhe dëbimin e 70 refugjatëve boshnjakë dhe serbë nga Mali i Zi për në Republika Srpska në vitin 1992. Pas dëbimit, shumë boshnjakë u ekzekutuan.
Në nëntor të vitit 2010, Bulatovic tha se nuk ka përgjegjësi individuale për rastin.
“E vërteta është që, nëse është bërë një gabim, është gabim i shtetit, dhe jo i individëve”. Ai theksoi se dëshmia e tij është e mbështetur nga dokumenta që i ka dhënë gjykatës më parë.
Popovic, Kocan, dhe Pavlovic, mendojnë se dëshmia e Bulatovicit ishte vetë-inkriminuese dhe përzien të gjithë ish liderët e shtetit, vecanërisht Milo Djukanovicin, i cili ishte kryeministër kur ndodhi dëbimi.
Ata argumentojnë se duke mos bërë një hetim penal pas deklaratave të Bulatovicit, prokuroria e shtetit u bë bashkëpunëtore me autorët e krimit.
Nëntë ish zyrtarë policie të paditur për krime lufte për dëbimin, u liruan në mars të 2011.
Gjykata e Apelit, sidoqoftë, së afërmi rrëzoi vendimin për lirim dhe është caktuar një gjyq i ri, i cili pritet të fillojë këtë muaj