Qeveria e Malit të Zi ka vendosur të ulë më tej akcizat për benzinën dhe naftën, në një tjetër ndërhyrje për të zbutur ndikimin e rritjes së çmimeve të karburanteve në tregun vendas, shkruan seenews.
Masat e reja kanë hyrë në fuqi më 25 gusht dhe do të jenë të vlefshme deri më 5 shtator.
Akciza për benzinën pa plumb është ulur në 0.522 euro për litër, nga norma e zakonshme prej 0.549 euro, ndërsa për naftën akciza është reduktuar në 0.352 euro për litër, nga 0.396 euro që ishte vendosur në mesin e gushtit dhe 0.440 euro që është norma e zakonshme.
Sipas Ministrisë së Energjisë, ndërhyrja e qeverisë ka sjellë edhe një ulje të çmimeve në tregun me pakicë.
Nga 25 gushti, një litër naftë do të tregtohet me 1.87 euro, 1 cent më pak se më parë. Ndërkohë, benzina Eurosuper 98 do të kushtojë 1.79 euro për litër, gjithashtu 1 cent më pak.
Çmimi i Eurosuper 95 mbetet i pandryshuar në 1.76 euro për litër.
Tarifat do të jenë në fuqi gjatë periudhës 25-31 gusht, ndërsa çmimet për javën që nis më 1 shtator do të përcaktohen mbi bazën e kuotimeve ndërkombëtare të naftës dhe kursit dollar-euro.
Qeveria malazeze ka ndërhyrë disa herë gjatë këtij viti në nivelin e akcizave, me synim frenimin e ndikimit të luhatjeve të tregut ndërkombëtar të naftës.
