Një tjetër ngjarje tragjike është regjistruar në Maldivet, ku një turist nga Spanja humbi jetën gjatë praktikimit të sërfit në ujërat e arkipelagut turistik.
Sipas autoriteteve lokale, viktima ishte një 53-vjeçar që ndodhej në zonën e Gaafu Dhaalu Atoll. Ai u nxor nga uji dhe u transportua me urgjencë drejt qendrës shëndetësore më të afërt, por mjekët konstatuan vdekjen e tij sapo mbërriti në spital.
Policia ka nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e aksidentit, ndërsa ngjarja ka rikthyer shqetësimin pas disa incidenteve fatale të ndodhura së fundmi në Maldive.
Vetëm pak ditë më parë, pesë zhytës italianë humbën jetën gjatë eksplorimit të një shpelle nënujore mbi 50 metra të thellë në Vaavu Atoll.
Tragjedia u rëndua edhe më shumë pasi një pjesëtar i ekipit të shpëtimit humbi jetën gjatë operacionit për nxjerrjen e trupave. Sipas raportimeve paraprake, ai dyshohet se pësoi sëmundjen e dekompresionit gjatë ndërhyrjes nën ujë.
