Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, i ka habitur të gjithë, teksa iu përgjigj pyetjeve të mediave, në një konferencë.

Leavitt u pyet nga një gazetar i “Huff Post” se përse u zgjodh Budapesti për takimin e radhës mes Donald Trump dhe Vladimir Putinit. Zëdhënsja në vend që të argumentonte zgjedhjen, u përgjigj duke thënë thjesht “e zgjodhi mamaja jote”, si ofendim për gazetarin.

Pyetja për Budapestin u bë për shkak se kryeqyteti hungarez ishte vendi i Memorandumit të Budapestit të vitit 1994, në të cilin Ukraina hoqi dorë nga mijëra armë bërthamore që kishte trashëguar pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, në këmbim të garancive se Rusia do të respektonte integritetin territorial të Ukrainës.

Putini e shkeli atë premtim me pushtimin dhe aneksimin e Krimesë në vitin 2014, me ofensivën e tij ushtarake dhjetëvjeçare në rajonin e Donbasit dhe më pas me pushtimin e tij të plotë në vitin 2022.