Policia nuk ka mundur të gjejë ende armët e përdorura në vrasjen e pesëfishtë në Smilkovc
Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë nuk ka bërë të njohur nëse ka rënë në gjurmët e dy të arratisurve shqiptarë, të cilët dyshohen se kanë lidhje në vrasjen e pesëfishtë në Smilkovc. Ndërkaq policia nuk ka mundur ende të gjejë armët e përdorura në ngjarjen e pesëfishtë. Megjithatë ministrja e punëve të brendshme Gordana Jankullovska thekson se ekzistojnë dëshmi dhe prova të ndryshme, dhe grupi prej pesë anëtarëve do të akuzohet për terrorizëm. Nuk ka informata se kush e financuar grupin, a kanë lidhje me organizata tjera të huaja dhe nuk dihet se kush është lider i këtij grupimi. E pyetur se a është e vërtetë se a ekzistojnë grupe të armatosura, të cilët mund ta kërcënojnë sigurinë e shtetit, Jankullovska ka thënë se policia po vijon të ndjek situatën.
“Policia i ka marrë të gjitha masat. Jemi të vetëdijshëm dhe në mënyrë të zgjuar i ndjekim rreziqet potenciale, por nuk do të lejojmë që askush ta shkatërrojë paqen e qytetarëve pa dallim nga cili nacionalitet janë”, tha Jankullovska.
Ndërkohë mërgimtarët shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Zvicër, shprehen të revoltuar dhe të indinjuar nga skenari dhe ushtrimi i forcës në formë më primitive ndaj qytetarëve shqiptarë, nga policia sllavo-maqedonase dhe serbe.
8 maj 2012 (gazeta-Shqip.com)