Takimi në Ohër
Kriza e refugjatëve nga Lindja e Mesme ka mbledhur dje në Ohër ministrat e Brendshëm të Maqedonisë, Austrisë, Serbisë dhe Hungarisë, të cilët kanë firmosur një memorandum bashkëpunimi për menaxhimin e përbashkët të situatës së krijuar. Në këtë takim, shefi i policisë maqedonase, Mitko Çavkov, u shpreh i pakënaqur nga bashkëpunimi me Greqinë dhe akuzoi fqinjin jugor për sjellje jokorrekte në përballjen me fluksin e shtuar të emigrantëve. “Ne bëjmë përpjekje maksimale për trajtimin adekuat të fluksit të madh të emigrantëve, që është mbi kapacitetet tona. Pres reagim edhe nga pala greke dhe kërkoj që ata të japin kontributin e tyre e të mos ndikojnë në rritjen e vazhdueshme të fluksit të emigrantëve që vijnë nga Greqia drejt Maqedonisë. Zgjidhja nuk duhet të kërkohet te bartja e problemit. Ne do të gjejmë mënyra për t’u ballafaquar me fluksin e fundit”, u shpreh Çavkov. Në takimin e Ohrit, zyrtarët e katër shteteve që shërbejnë si vende transit për emigrantët, thanë se menaxhimi i kësaj situate, përveç qasjes së përbashkët, kërkon edhe mbështetje më të madhe financiare e teknike. “40 policë austriakë janë dërguar në kufirin mes Serbisë e Hungarisë dhe kufirin mes Serbisë e Maqedonisë, të cilët me automjete shtesë dhe me tërë pajisjet janë atje për të shërbyer bashkë me autoritetet vendore. Formuam edhe një ekip hetues, me të cilin do të luftojmë kundër kontrabanduesve”, deklaroi Johana Mikl-Lajtner, ministre e Brendshme e Austrisë.