Një anije e Marinës Amerikane, e cila bart rreth 2,500 marinarë, ka mbërritur së fundmi në Lindjen e Mesme, njoftoi Komanda Qendrore e SHBA-së.

Bëhet fjalë për USS Tripoli, një anije sulmi amfibe së bashku me elementët e Njësisë së 31-të Ekspedicionare Detare, e cila është e vendosur në Japoni. Sipas njoftimit, ekuipazhi po kryente stërvitje në zonën përreth Tajvanit kur u urdhërua të zhvendosej drejt Lindjes së Mesme rreth dy javë më parë.

Komanda Qendrore theksoi se anija po transporton gjithashtu avionë transporti dhe sulmi, si dhe automjete amfibe të afta për operacione të avancuara në rajon.

Përveç USS Tripoli, edhe USS Boxer dhe dy anije të tjera, së bashku me një Njësi tjetër Ekspedicionare Detare nga San Diego, janë urdhëruar të dislokohen në këtë rajon strategjik, duke rritur praninë ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme.