Presidenti amerikan Donald Trump ka organizuar një darkë ekskluzive me drejtuesit më të lartë të industrisë së teknologjisë në SHBA, në Kopshtin e Trëndafilave, në eventin e parë që zhvillohet në këtë hapësirë pas rinovimeve të fundit.
Sipas një zyrtari të Shtëpisë së Bardhë, mes të ftuarve pritet të jenë CEO i Meta-s Mark Zuckerberg, CEO i Apple Tim Cook, bashkëthemeluesi i Microsoft Bill Gates dhe CEO i OpenAI Sam Altman.
Një burim për CNN bëri të ditur se planet për darkën u përgatitën me shpejtësi dhe përkojnë me një tjetër aktivitet të rëndësishëm që mbahet po mbrëmjen e të enjtes nga Zonja e Parë, Melania Trump, e cila organizon një event publik të rrallë në Shtëpinë e Bardhë, të fokusuar te inteligjenca artificiale. Sundar Pichai, CEO i Google dhe i kompanisë mëmë Alphabet, do të mbajë një fjalim në këtë event dhe më pas do të marrë pjesë në darkën e Kopshtit të Trëndafilave.
Presidenti Trump ka shprehur prej disa javësh dëshirën për të hapur Kopshtin e Trëndafilave me një event të madh. Hapësira është transformuar plotësisht, duke hequr barin dhe duke vendosur një sipërfaqe guri, në stilin e verandës së Mar-a-Lago, ku Trump preferon të organizojë darka në ambient të hapur gjatë fundjavave jashtë Uashingtonit.