Marrëveshja e armëpushimit e arritur për të ndaluar sulmet në rajonin e Detit të Zi, e ndërmjetësuar nga SHBA, mund të ketë qenë një manovër e menduar nga Rusia për të fituar më shumë terren, paralajmërojnë ekspertët ushtarakë.

Pas një periudhe të gjatë negociatash, Shtëpia e Bardhë njoftoi se Ukraina dhe Rusia ranë dakord për një ndalim të sulmeve në rajonin e Detit të Zi dhe ndaj infrastrukturës energjetike. Po ashtu, Washingtoni ra dakord të heqë disa sanksione kundër Moskës si pjesë e këtij marrëveshjeje.

Pavarësisht se detajet e plota të marrëveshjes nuk janë zbuluar ende, ekspertët ushtarakë kanë shprehur shqetësimin se kjo marrëveshje mund të favorizojë më shumë Rusinë se sa Ukrainën, e cila po përpiqet të arrijë një marrëveshje të përhershme paqeje për të shpëtuar vendin e saj nga shkatërrimi.

Kritikët thonë se Vladimir Putin mund ta shfrytëzojë këtë armëpushim për të grumbulluar më shumë territore të pushtuara dhe për të ndaluar sulmet ndaj fabrikave të naftës ruse. Duke u bazuar në këtë marrëveshje, Rusia mund të rivendosë flotën e saj detare në Detin e Zi dhe të rinisë eksportet nga ky rajon.

Ekspertët ushtarakë paralajmërojnë se Putin mund të shtyjë për disa muaj një marrëveshje të plotë paqeje, derisa të ketë kontroll mbi më shumë territore ukrainase, përfshirë rajonet e Kurskut dhe Zaporizhzhia. Përveç kësaj, Moska kërkon që Ukraina të heqë dorë nga anëtarësimi në NATO dhe të ndalojë importet e armëve nga Perëndimi.

Ndërkohë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka shprehur dyshime se marrëveshja mund të mos zbatohet, duke paralajmëruar se Rusia mund të vazhdojë të manipulojë me detajet e saj. Zelensky theksoi se Ukraina do të kërkojë masa shtesë nëse Rusia shkel marrëveshjen.

Në të njëjtën kohë, Rusia ka kërkuar garanci të qarta për të hequr sanksionet ndaj saj dhe për të garantuar operimin e sigurt të impiantit bërthamor të Zaporizhzhia, të cilin e ka pushtuar që nga marsi i vitit 2022.