Një ditë pas vizitës së presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, në Tel Aviv dhe shpalljes së fazës së parë të planit të tij të paqes për Gazën, Benjamin Netanyahu ka paralajmëruar pasoja të rënda për Hamasin nëse nuk pranon çarmatosjen.
Kryeministri izraelit tha se kushtet e presidentit Trump janë shumë të qarta, Hamasi duhet të heqë dorë nga armët dhe të çmilitarizohet, përndryshe shpërthen ferri.
“Ne ramë dakord t’i japim paqes një shans”, tha Netanyahu të martën, një ditë pasi Trump bëri një vizitë të shkurtër në Tel Aviv për të shënuar fazën e parë të planit të tij të paqes prej 20 pikash për Gazën, duke deklaruar se “lufta ka mbaruar”.
Tani që pengjet e gjalla janë kthyer, Netanyahu tha se demilitarizimi dhe çarmatimi duhet të vijnë më pas.
“Së pari, Hamasi duhet të heqë dorë nga armët”, tha Netanyahu në një intervistë ekskluzive në Tel Aviv për “CBS NEWS”.
“Dhe së dyti, duhet të siguroheni që nuk ka fabrika armësh brenda Gazës. Nuk ka kontrabandë armësh në Gaza. Ky është demilitarizim”, tha Netanyahu.
Hamasi ka refuzuar dorëzimin e armëve. Ndërsa Trump paralajmëroi të martën se nëse Hamasi nuk çarmatoset, “SHBA do ta çarmatosë atë”.