Shtetet e Bashkuara dhe Irani kanë rënë dakord në parim për një marrëveshje që mund të ulë tensionet dhe të çojë drejt përfundimit të konfliktit në Lindjen e Mesme, megjithëse miratimi final nga liderët e të dy vendeve mund të kërkojë ende disa ditë.

Sipas një zyrtari të lartë amerikan të cituar nga “New York Times”, marrëveshja do të mundësonte rihapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe do ta detyronte Iranin të heqë dorë nga uraniumi i pasuruar në nivele të larta.

Megjithatë, mënyra se si Teherani do ta realizojë këtë proces mbetet ende pjesë e negociatave.

Raportohet se presidenti amerikan Donald Trump ka këmbëngulur që SHBA të marrë nën kontroll këtë material, si pjesë e përpjekjeve për të frenuar programin bërthamor iranian.

Ndërkohë, Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi gjatë një vizite në Indi se SHBA mund të ketë “ndoshta sot” lajme për të njoftuar lidhur me bisedimet me Iranin.

Ai sqaroi se palët nuk arritën një marrëveshje përfundimtare të dielën, por theksoi se në tryezë ekziston një bazë solide për vijimin e negociatave.

“Kemi një bazë mjaft solide në lidhje me aftësinë e tyre për të hapur ngushticën, për ta mbajtur të hapur dhe për të hyrë në negociata serioze dhe me afat të përcaktuar për çështjen bërthamore”, u shpreh Rubio.